Pas dështimit të pistës Thiago Silva, një rikthim që Massimiliano Allegri do ta kishte mirëpritur me dëshirë, por që u refuzua nga drejtuesit,
Milani ka intensifikuar kërkimet për një mbrojtës qendror të nivelit të lartë.
Emri që kryeson listën e dëshirave të trajnerit livornez është Federico Gatti, shtylla e mbrojtjes së Juventusit dhe lojtar që Allegri e njeh shumë mirë.
Gatti ka rinovuar së fundmi kontratën me bardhezinjtë deri në vitin 2030 dhe konsiderohet një element i rëndësishëm për Juventusin e drejtuar nga Luciano Spalletti, sidomos në një repart që ka vuajtur mungesa të shumta, pavarësisht rikthimit të pritur të Gleison Bremer.
Megjithatë, drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, po përpiqet të hapë një dialog, edhe pse është i vetëdijshëm për vështirësinë e operacionit.
Sipas medieve italiane, është hedhur ideja e një shkëmbimi, fillimisht me Samuele Ricci-n, por pista duket e komplikuar. Në orët e fundit ka dalë në skenë emri i Koni De Winter si një alternativë më konkrete për një marrëveshje të mundshme. Ish-mbrojtësi i Genoas, produkt i akademisë bardhezi, do të ishte i dobishëm edhe për listat e Juventusit dhe duket se pëlqehet nga Spalletti.
Nga ana tjetër, pavarësisht lidhjes së fortë me Juventusin, Gatti do të ishte i kënaqur të ribashkohej me Allegrin, trajner që e ka lançuar dhe nën drejtimin e të cilit është rritur ndjeshëm.
Negociatat ende nuk kanë nisur zyrtarisht, por ditët e para të janarit pritet të sjellin përgjigje të qarta. Mbetet për t’u parë nëse dy klubet do të pranojnë të forcojnë njëra-tjetrën në garën për zonën Champions.