Historia e Jude Bellinghamit te Real Madridi deri më tani është e vështirë për t’u kuptuar.
Lojtari erdhi si një mesfushor i gjithanshëm, u shfaq si një golashënues i lindur gjatë muajve të parë magjikë që e futën në garë për Topin e Artë, për t’u shuar më pas pothuajse plotësisht, duke u kthyer në një lojtar shpërthimesh sporadike që nuk e gjen rolin e tij në fushë.
103 milionë euro fikse plus 30 milionë në bonuse që iu paguan Borussia Dortmundit në atë kohë dukeshin si një pazar fantastik, por me kalimin e kohës perspektiva ka ndryshuar. Roli i anglezit sezonin e kaluar ishte zhgënjyes, por dëmtimi në shpatull shërbeu si justifikim për paraqitjet e dobëta. Këtë sezon, i operuar dhe i çliruar nga ato shqetësime, nuk ka më justifikime.
Çuditërisht, rënia e Real Madridit këtë sezon ka përkuar me rikthimin e Bellinghamit në ekip. Natyrisht, ai nuk është përgjegjësi kryesor për atë që po i ndodh skuadrës madrilene, por shifrat tregojnë se ai është një nga problemet.
Pa Jude Bellinghamin, Real Madridi ka luajtur 5 ndeshje dhe ka marrë 5 fitore. Kur ai ka luajtur vetëm disa minuta si zëvendësues, skuadra ka zhvilluar 6 ndeshje dhe ka fituar të gjitha.
Të dhënat më domethënëse vijnë nga ndeshjet ku ai ka qenë titullar.
Në total janë 14 ndeshje: 7 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje. Përqindja është tronditëse: pa Bellinghamin ose me të që hyn nga stoli, Reali fiton 100% të ndeshjeve; kur mesfushori është titullar, vetëm 50% e ndeshjeve përfundojnë me fitore.
Kontrasti vërehet edhe te golat. Me Bellinghamin titullar, Reali ka shënuar 21 gola dhe ka pësuar 15; kur ai ka hyrë nga stoli, skuadra ka shënuar 21 gola dhe ka pësuar 7; ndërsa kur nuk ka luajtur fare, madrilenët kanë shënuar 10 gola dhe kanë pranuar vetëm 3.
Rikthimi i tij si titullar këtë sezon solli edhe polemika.
Pas operacionit në shpatull dhe pasi kishte luajtur vetëm disa minuta kundër Espanyolit dhe Levantes, Bellinghami u hodh nga minuta e parë ndaj Atletico Madridit. Një vendim i Xabi Alonsos që e largoi Arda Gülerin nga pozicioni ku po shkëlqente dhe që përfundoi në një katastrofë, me një “manitë” në favor të ekipit të Simeones (5-2).
Që atëherë, trajneri ka tentuar t’i gjejë vend anglezit në fushë, por rezultatet nuk kanë qenë aspak pozitive. “Jam në gjendjen time më të mirë fizike prej kohësh,” pranoi mesfushori në deklarata për mediat e klubit para ndeshjes kundër Barcelonës.
Në fakt, anglezi nuk është dukur keq fizikisht; problemet e tij lidhen më shumë me pozicionimin e gabuar dhe mbingarkesat e panevojshme.
Megjithatë, problemi më i madh shihet me topin. Bëhet fjalë për një lojtar me cilësi unike, por që shfaqet shumë rrallë gjatë ndeshjeve, me ndonjë shkëndijë sporadike që, megjithatë, ka vlerë për ekipin.
Pavarësisht gjithçkaje, Bellinghami nuk po arrin të bëhet dominues i mesfushës. Vështrimi i tij është gjithmonë i drejtuar nga zona, ku shpesh përplaset me Mbappén. Ai e mban topin tepër gjatë, duke bërë prekje të panevojshme që e pengojnë të gjejë zgjidhjet më të mira, dhe nuk i jep Real Madridit organizimin që skuadra po e kërkon aq shumë. Për më tepër, rikthimi i tij ka përkuar edhe me rënien në formë të Arda Gülerit.
Te Real Madridi ka filluar të ndihet nevoja për të gjetur një zgjidhje për një problem që askush nuk do ta parashikonte dy vite më parë. Rikthimi i lojtarit total që mahniti botën duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të një ekipi që po kalon një krizë të dukshme në lojë.