Klopp te Real Madridi?

- Bota Sot

Klopp te Real Madridi?

Zërat për një kalim të mundshëm të Jürgen Klopp-it në pankinën e Real Madridit po shtohen, në një moment delikat për projektin e ri të klubit madrilen.

Pas mbylljes së ciklit të Carlo Ancelotti-t, drejtuesit e “Los Blancos” ia besuan skuadrën Xabi Alonsos, me synimin për të nisur një revolucion taktik, i mbështetur te puna e jashtëzakonshme që basku kishte bërë më parë me Bayer Leverkusenin.

Megjithatë, realiteti i Bernabéut po rezulton më kompleks nga sa pritej.

Edhe pse Reali renditet i dyti në La Liga dhe është ende në garë në Champions League, Alonso është vënë nën presion për vështirësitë në menaxhimin e një dhome zhveshjeje plot ‘yje’. Balancimi i katërshes Vinícius, Mbappé, Bellingham dhe Rodrygo, si dhe linja e tij e rreptë pa privilegje për emra të mëdhenj, kanë ngjallur debat të brendshëm dhe kritikë nga ambienti rreth klubit.

Në këtë kontekst ka dalë sërish në skenë emri i Jürgen Klopp, një profil i dashur për tifozët madrilenë për karizmën dhe sukseset e tij. Por shpresa për ta parë gjermanin në Madrid janë zbehur shpejt. Oliver Mintzlaff, CEO i RB Leipzig dhe figurë kyçe e grupit Red Bull, ka sqaruar për “Bild” se kontrata e Klopp-it nuk parashikon asnjë klauzolë largimi.

“Jürgen Klopp ka ndihmuar klubin të bëjë një hap të madh përpara dhe ka gjetur një ekuilibër të shkëlqyer mes mbështetjes në fushë dhe autonomisë së klubit. Ai erdhi te ne pa kosto dhe ndihet si në shtëpi. Kontrata e tij nuk përmban klauzolë lirimi dhe angazhimi i tij ndaj nesh është total”, ka theksuar Mintzlaff.

Kështu, të paktën për momentin, Real Madridi do të duhet të kërkojë alternativa të tjera, ndërsa Xabi Alonso do të duhet të bindë me rezultate dhe menaxhim se projekti i tij do të funksionojë në afat të gjatë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot