Lulzim Abazi: Iljaz Mjaku nuk e ka përkrahjen e FC Ferizajt, nesër dalim me kandidatin tonë

- Bota Sot

Lulzim Abazi: Iljaz Mjaku nuk e ka përkrahjen e FC Ferizajt, nesër dalim me kandidatin tonë

Klubi i futbollit Ferizaj, me president Lulzim Abazi, ka kundërshtuar publikisht kandidaturën e Iljaz Mjakut për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Abazi ka deklaruar se Iljaz Mjaku është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së që nga viti 2005 dhe aktualisht ushtron edhe funksionin e kryetarit të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Ferizajt. 

Sipas tij, një person nuk mund të mbajë njëkohësisht dy pozita kaq të rëndësishme në strukturat e futbollit.

“Nuk e ka përkrahjen e klubit Ferizaj. Nuk i kemi dhënë letër përkrahje.

Nuk është e ndershme me mbledhë nënshkrime, me keqpërdor punën e nënshkrimeve, duke mos u treguar të vërtetën shkollave të futbollit se për çka i duhen”, tha Abazi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Abazi tha se nuk e ka përkrahjen e klubit të Ferizajt, anëtar i Superligës së Kosovës. 

“Nuk e ka përkrahjen nga klubi ku unë jam. Mjaku, është kryetar i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Ferizajt. Nuk mundet mi mbajt dy poste z. Iljaz Mjaku”, nënvizoi Abazi.

Kryetari i FC Ferizaj tha se nesër do të dalin me kandidatin për KE të FFK-së.

“Qysh nesër, ne si FC Ferizaj me disa klube dhe shkolla të futbollit, do te dalim me kandidatin tonë për KE FFK-së”, thotë Abazi.

Lidhja Rajonale e Futbollit të Ferizajt ka bërë të ditur se zgjedhjet për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së për mandatin 2026-2030 do të mbahen në javën e tretë të janarit përkatësisht me 17 janar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot