Kurrë i qetë, gjithmonë nën presion

- Bota Sot

Kurrë i qetë, gjithmonë nën presion

Viti 2025 ka qenë vendimtar në karrierën e Cristian Chivu-t, një rrugëtim që u kurorëzua me çmimin trajneri më i mirë rumun i vitit.

Trajneri aktual i Interit u vlerësua për një sezon të jashtëzakonshëm në Serie A, i cili e çoi nga shpëtimi me Parmën deri në pankinën e zikaltërve, pas largimit të Simone Inzaghi-t.

Chivu e nisi vitin në një situatë të vështirë te Parma, ku mori drejtimin e një skuadre në krizë dhe arriti objektivin e mbijetesës.

Puna e tij nuk kaloi pa u vënë re dhe, pas finales së Champions League të humbur nga Interi kundër PSG-së dhe largimit të Inzaghi-t, drejtuesit zikaltër i besuan atij një nga pankinat më të vështira në Evropë.

Në një intervistë për ‘Gazeta Sporturilor’, Chivu ka folur hapur për verën e trazuar dhe ndryshimin e menjëhershëm në jetën e tij profesionale. “Do të kisha qëndruar te Parma, ishim në fazë rinovimi kontrate. Por Interi ndërhyri sepse Simone Inzaghi ishte larguar dhe pata fatin të emërohesha trajner këtu”, ka deklaruar ai.

Ish-mbrojtësi rumun e njeh shumë mirë ambientin e Interit nga koha si lojtar, por pranon se roli i trajnerit është krejtësisht tjetër. “Nuk ke kurrë paqe, je gjithmonë nën presion për rezultate.

Luhet çdo tri ditë dhe shpesh nuk ke as kohë të stërvitesh.

Një përvojë e ngjashme me atë që kam pasur si lojtar, por tani nga pankina”, ka shtuar Chivu.

Ky çmim konfirmon rritjen e tij të shpejtë si trajner dhe rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që ai po merr në futbollin evropian.



Lexoni të gjitha në Bota Sot