Mediat spanjolle paralajmërojnë Romën

- Bota Sot

Mediat spanjolle paralajmërojnë Romën

Në prag të hapjes së merkatos së janarit, çështja Giacomo Raspadori pritet të hyjë në një fazë vendimtare. Sulmuesi italian është një nga objektivat kryesorë të Romës, e cila synon të përforcojë repartin ofensiv, aktualisht në vështirësi të dukshme.

Sipas së përditshmes spanjolle Marca, në këtë dosje ka hyrë fuqishëm Atlético Madridi, klubi që e bleu Raspadorin gjatë verës.

Burimi spanjoll thekson se Atlético nuk ka asnjë domosdoshmëri për ta shitur lojtarin. Drejtuesit e klubit janë të kënaqur me kontributin e tij, edhe pse minutazhi i dhënë nuk ka qenë në përputhje me pritshmëritë personale të futbollistit.

Megjithatë, në rast se vetë Raspadori do të insistojë për një largim dhe për rikthim në Serie A, madrilenët janë të gatshëm të hapin diskutimet, por vetëm në kushte shumë të qarta.

Atlético Madridi do të pranonte ekskluzivisht një huazim me detyrim blerjeje, për një shumë totale prej 22 milionë eurosh. Kjo shifër përkon me vlerësimin që i bën edhe Roma kartonit të sulmuesit, por problemi kryesor mbetet formula e transferimit. Sipas Marca-s, klubi verdhekuq ka propozuar një zgjidhje ndryshe: 2 milionë euro për huazim dhe 20 milionë për të drejtën, jo detyrimin, e blerjes përfundimtare.

Një diferencë e vogël në shifra, por e madhe në parim, që aktualisht po pengon marrëveshjen. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse Roma do të pranojë kushtet e Atleticos, apo nëse negociatat do të mbeten në vendnumëro.



Lexoni të gjitha në Bota Sot