Plani i Barcelonës

- Bota Sot

Plani i Barcelonës

Punimet në Spotify Camp Nou po vazhdojnë me ritëm të lartë.

Nuk ka pushim as gjatë festave të fundvitit, pasi klubi synon sa më shpejt të rrisë kapacitetin e stadiumit, diçka që pritet të realizohet së shpejti.

Sipas asaj që ka zbuluar Esport3, Barcelona mund të shohë rritjen e kapacitetit të stadiumit me rreth 17 mijë spektatorë që në ndeshjen e ardhshme ndaj Oviedos. Aktualisht, FC Barcelona do të zhvillojë disa ndeshje radhazi jashtë fushe, gjë që lehtëson punimet dhe i jep mundësi Bashkisë të miratojë Licencën 1 C, e nevojshme për hapjen e tribunës veriore.

Skuadra katalanase rikthehet në La Liga më 3 janar në Cornellà për t’u përballur me Espanyolin, më pas udhëton drejt Arabisë Saudite për të luajtur Superkupën, me gjysmëfinalen e 7 janarit kundër Athletic Bilbaos. Po atë ditë do të mësojë edhe shortin për fazën e 1/8 së finales së Kupës së Mbretit, ku do të përballet në transfertë me një ekip të kategorisë më të ulët më 13–14–15 janar.

La Liga vazhdon me ndeshjen në Reale Arena më 18 janar, udhëtimin në Pragë më 21 janar për t’u përballur me Slavian dhe, më në fund, rikthimin në Spotify Camp Nou më 25 janar. Në këtë takim, kapaciteti i stadiumit mund të arrijë deri në 62 mijë spektatorë.

Një shifër e rëndësishme, sidomos pasi vetëm tre ditë më vonë, më 28 janar, Barça pret Kopenhagenin në një ndeshje që pritet të jetë vendimtare për objektivin Top 8 në Champions League. Ky do të jetë edhe takimi i fundit i fazës së ligës në kompeticionin europian.

Nëse këto afate përmbushen, dy unazat e para të Spotify Camp Nou do të jenë të përfunduara, ndërsa do të mbetet vetëm unaza e tretë për sezonin e ardhshëm, e cila do ta çojë kapacitetin e stadiumit në 105 mijë spektatorë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot