Katër klube shqiptare janë të bllokuara në FIFA

- Bota Sot

Katër klube shqiptare janë të bllokuara në FIFA

Merkatoja e dimrit hapet zyrtarisht më 1 janar 2026 dhe për shumë skuadra ajo përfaqëson shpresën e fundit për të ndryshuar rrjedhën e sezonit, për të arritur objektivat ose për të shpëtuar një edicion që po shkon keq.

Megjithatë, jo të gjitha klubet e kanë rrugën e hapur për të kryer lëvizje në tregun e futbollistëve.

Shumë prej tyre janë të bllokuara nga FIFA për shkak të detyrimeve financiare të pashlyera nga e kaluara, duke e kthyer merkaton e janarit në një mision tepër të vështirë. Skuadra me merkato të bllokuar gjenden në të tria nivelet e futbollit shqiptar: Kategorinë Superiore, Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë.

Në Superiore, situata më e ndërlikuar paraqitet te Vllaznia. Klubi shkodran ka katër çështje të hapura në FIFA, çka e vendos përballë një janari të trazuar dhe me shpenzime të konsiderueshme.

Nëse drejtuesit kuqeblu duan realisht të përforcojnë skuadrën, fillimisht duhet të zgjidhin këto probleme financiare, përndryshe merkatoja mbetet e mbyllur. Në Kategorinë e Parë, aktualisht dy janë klubet me merkato të bllokuar, Kastrioti dhe Kukësi. Krutanët kanë dy çështje për të zgjidhur në FIFA, përpara se të mund të afrojnë lojtarë të rinj në janar.

Pas ndeshjes së fundit ndaj Lushnjës, trajneri Ramadan Ndreu pranoi publikisht se skuadra ka nevojë për përforcime, duke theksuar se synohen afrime në dy ose tre role. Por për ta realizuar këtë dëshirë të stafit teknik, klubi duhet fillimisht të shlyejë detyrimet e prapambetura.

Ndërkohë, te Kukësi ka nisur i ashtuquajturi “operacioni fshesa”, ku përflitet për largimin e 6–7 futbollistëve. Verilindorët kanë më shumë se kurrë nevojë për afrime të reja, me shpresën për të ndryshuar klimën në ekip dhe për të gjetur rezultatet e duhura që do t’i ndihmonin të shpëtojnë sezonin.

Megjithatë, edhe këtu gjithçka nis nga zgjidhja e një çështjeje të hapur në FIFA. Vetëm pasi të shlyhen detyrimet dhe të hiqet bllokimi, Kukësi do të ketë mundësinë të federonte lojtarë të rinj.

Në Kategorinë e Dytë, për momentin, klubi i vetëm me merkato të bllokuar është Oriku, që ka një çështje për të zgjidhur. Janari po afron dhe për shumë klube shqiptare ai nuk është thjesht një merkato, por një betejë e vërtetë mes shpresës për ringritje dhe rrezikut për të mbetur peng i problemeve financiare.



Lexoni të gjitha në Bota Sot