Interesimi i diasporës për zgjedhje – ‘ardhje masive’, shtohet numri i votuesve nga jashtë

- Gazeta e Prizrenit

Interesimi i diasporës për zgjedhje – ‘ardhje masive’, shtohet numri i votuesve nga jashtë

Festat e fundvitit shënojnë periudhën e rikthimit të mërgimtarëve në vendlindje, teksa shumë bashkëatdhetarë kanë shprehur interesimin e madh për të votuar në zgjedhjet e 28 dhjetori.

Fluksi i mërgimtarëve nga rrugët tokësore dhe ajrore gjatë muajit dhjetor është i lartë ku gjatë javës janë raportuar pritje me orë të tëra në pikat kufitare në hyrje.

Sipas të dhënave nga Sistemi i Menaxhimit të Integruar në 7 ditët e fundit në Kosovë kanë hyrë 374 mijë persona.

Nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se për votim me postë janë regjistruar 77 mijë e 86 qytetarë që do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës në ambasadat dhe konsullatat e caktuara nga KQZ.

Ky numër shënon rritje të interesimit për votim nga diaspora, pasi që në shkurt të këtij viti për votim me postë ishin regjistruar 63 mijë e 705 qytetarë, kurse për zgjedhjet lokale ishin regjistruar 69 mijë e 894 votues jashtë vendit.


Ndërkohë numri i përgjithshëm i qytetarëve që votuan në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte 966 mijë e 283 nga 2 milionë e 75 mijë e 868 apo 46.54% e qytetarëve shfrytëzuan të drejtën e tyre të votës.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit shënojnë zgjedhjet e dhjeta parlamentare në Kosovë, teksa ato mbahen pas dështimit disa mujor të formimit të insitucioneve të vendit.

Lista e votuesve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme është certifikuar nga KQZ me 10 dhjetor 2025. Sipas të dhënave të KQZ numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2 milionë e 76 mijë e 290.

Ndërkaq, në zgjedhjet e të dielës së 28 dhjetorit marrin pjesë 24 subjekte politike me 1 mijë e 180 kandidatë.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit