Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale tejet komplekse për largimin e një tumori intratorakal me përmasa të mëdha, rreth 13 me 10 centimetra.
Sipas njoftimit, pacientja R.B., e lindur më 1974, kishte qenë më herët nën trajtim nga kardiologët për probleme kardiake, të cilat më pas u vërtetua se ishin shkaktuar nga presioni i masës tumorale mbi zemrën, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e saj normal.
Operacioni u realizua me sukses nga ekipi i specializuar i kirurgëve torakalë, në bashkëpunim të ngushtë me anesteziologët, instrumentarët dhe stafin mbështetës të klinikës.
Tumori, i cili kishte penguar funksionimin normal të mushkërive dhe zemrës, u hoq plotësisht gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Gjendja shëndetësore e pacientes pas operacionit është stabile, ndërsa ajo po vazhdon të monitorohet nga stafi mjekësor në përputhje me protokollet standarde të kujdesit post-operativ.
Nga QKUK theksohet se ky rast dëshmon nivelin profesional dhe kapacitetet e Klinikës së Kirurgjisë Torakale për trajtimin e rasteve të ndërlikuara, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit multidisiplinar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore.