Ish-lojtari i Realit flet për çështjen “Negreira”

- Bota Sot

Ish-lojtari i Realit flet për çështjen “Negreira”

Real Madridi aktualisht do t’i kishte shumë punë shërbimet e Lucas Vázquez, i cili u largua në fund të sezonit të kaluar.

Mbrojtësit veteran të djathtë nuk iu ofrua një kontratë e re për shkak të ardhjes së Trent Alexander-Arnold, i cili momentalisht është i dëmtuar, ashtu si edhe kapiteni i klubit, Dani Carvajal.

Nuk ka asnjë pakënaqësi nga ana e Lucasit, i cili foli për transferimin e tij veror te Bayer Leverkusen gjatë një interviste për “Diario AS”.

“Që nga momenti i parë ishte shumë bukur, sepse pritja nga klubi, shokët e skuadrës dhe tifozët ishte spektakolare. Më trajtuan mrekullisht që nga minuta e parë.

Pastaj, në nivel personal, ka qenë një ndryshim i madh.

Kemi qenë shumë vite te Real Madridi, shumë vite duke jetuar në Madrid, dhe çdo ndryshim është i vështirë. Por jemi shumë të lumtur, të përshtatur dhe të kënaqur me kalimin te Bayer Leverkusen”, tha ai.

Lucas dha gjithashtu mendimin e tij për Xabi Alonson, i cili është shumë i respektuar në Leverkusen, dhe për fillimin e tij si trajner i Real Madridit.

“Xabi në Leverkusen është një institucion.

Ajo që bëri me ta është mbresëlënëse, pjesë e historisë. Dhe sigurisht, ne flasim për atë që po ndodh te Real Madridi dhe kështu me radhë… por njerëzit e futbollit e dinë gjithashtu se këto janë momente, faza, si një periudhë me shumë ndryshime te Real Madridi, ku duhet të kesh durim dhe të besosh si te lojtarët e mëdhenj që kemi, ashtu edhe te trajneri”, u shpreh ai.

Lucas u pyet gjithashtu për mendimin e tij rreth çështjes “Negreira”, e cila është rikthyer në vëmendje javët e fundit.

“Nuk është normale, nuk është normale.

E thashë së fundmi edhe në një intervistë tjetër.

Mendoj se është shumë më e rëndë sesa zhurma që po i bëhet.

Që një klub t’i ketë paguar një personi brenda strukturës së arbitrave është e vështirë për t’u shpjeguar.

Besoj se, herët a vonë, drejtësia do të vihet në vend. Por po, sigurisht ajo që ka ndodhur është diçka që nuk mund të ndodhë në futboll.

Nuk janë çështje fair play-i apo diçka e tillë. Është shumë më serioze sesa duket. Dhe ndoshta keni të drejtë që gjithçka… që gjithçka ka mundur të ndikojë edhe në arritjet e ligave të tjera”, përfundoi ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot