Fadil Muriqi, legjenda e futbollit të Kosovës, prej vitesh jeton dhe vepron në Australi.
Një emër që nuk harrohet kurrë, një emër që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit të Kosovës dhe më gjerë.
Ai ishte futbollisti që dridhte ish Jugosllavinë, duke tronditur klube si Cërvena Zvezda dhe Partizani i Beogradit, Hajduku i Splitit, Dinamo e Zagrebit, Velezhi i Mostarit, Sarajeva etj.
Golat e tij mbahen mend edhe sot, si e shembi Dinamon e Zagrebit në vjeshtën e vitit 1983 (3:2), Partizanin dhe het-triku spektakolar (3:2) kundër Velezhit në Prishtinë. Pas largimit të legjendës Fadil Vokrri, ishte pikërisht Muriqi ai që mori shiritin e kapitenit të gjeneratës së artë të Prishtinës.
Sot, nga Australia, Fadil Muriqi vjen me një mesazh të fuqishëm dhe ekskluzivisht për bashkëshorten e tij, Lumnijen.
“39 vite të lumtura së bashku”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Edhe sot, portieri i Partizanit të Beogradit, Fahrudin Omeroviq, e mban mend golin nga gjuajtja e lirë prej rreth 25 metrash, shënuar më 13 prill 1986, në minutën e 81-të, kur Muriqi e dërgoi topin në këndin e poshtëm të djathtë.
Po ashtu, portieri i Velezhit, Vukashin Petranoviq, nuk i ka harruar tre golat e pësuar në Prishtinë më 30 mars 1986, njëri prej tyre nga 18 metra, nga “Maradona i Kosovës”, Fadil Muriqi.
Dhjetëshi i famshëm i Prishtinës, pas vitit 1988, karrierën e vazhdoi në Rijekën e Kroacisë.
Një yll që nuk harrohet kurrë. Së bashku me vëllain e tij, Xhevdet Muriqi, ishin emra që “bombardonin” portat e klubeve të mëdha dhe ishin “macja e zezë” për Dinamon e Zagrebit.
Xhevdet Muriqi sot jeton dhe vepron në Prishtinë.