Ish-sulmuesi i Chelseat, Pedro Rodriguez, ka kujtuar periudhën e tij në “Stamford Bridge”, duke e përshkruar si një rrugëtim me kontraste të forta, nga vështirësitë e para deri te sukseset madhore.
Pedro iu bashkua Chelseat në vitin 2015 nga Barcelona, me një karrierë të mbushur me trofe, por fillimi në Angli ishte i komplikuar. Largimi i Jose Mourinhos para Krishtlindjeve dhe sezoni i dobët që përfundoi me vendin e 10-të në Premier League e bënë adaptimin të vështirë.
“Nuk ishte e lehtë. Vija nga vite suksesi të vazhdueshëm dhe papritur u gjenda në një skuadër që luftonte për rezultate.
Largimi i Mourinhos, që kishte besim tek unë, ishte i ashpër,” ka treguar Pedro, duke vlerësuar edhe rolin e John Terry si kapiten që mbante skuadrën të qetë.
Gjithçka ndryshoi me ardhjen e Antonio Contes në verën e vitit 2016. Italiani e transformoi Chelsean, duke fituar titullin e Premier League në sezonin e tij të parë dhe duke vendosur rekorde.
“Conte ndryshoi gjithçka. Ai solli një stil të ri loje, me tre mbrojtës dhe kundërsulme të shpejta. Gjeti rol për çdo lojtar dhe ndërtoi një grup që besonte plotësisht te idetë e tij,” tha Pedro.
Pas Contes, drejtimin e mori Maurizio Sarri, nën të cilin Chelsea fitoi Europa League në vitin 2019. Pedro shënoi në finalen e fituar 4-1 ndaj Arsenalit, duke e cilësuar atë trofe si të veçantë, pasi ishte i vetmi që i mungonte në karrierën e tij.
Rrëfimi i Pedros tregon se periudha te Chelsea, ndonëse me ulje-ngritje, ishte vendimtare në zhvillimin e tij si futbollist..