Lëndimi i Christensen ndryshon planet e Barçës, kërkohet një mbrojtës

- Bota Sot

Lëndimi i Christensen ndryshon planet e Barçës, kërkohet një mbrojtës

Lëndimi i parakohshëm i Andreas Christensen ka detyruar FC Barcelonën të rishikojë planet e saj, pasi klubi katalanas kishte synuar ta anashkalonte afatin kalimtar të dimrit.

Konfirmimi se mbrojtësi danez do të mungojë për disa muaj ka shtyrë bordin drejt opsionit të përforcimit të repartit defensiv gjatë janarit.

Sipas “Mundo Deportivo”, drejtuesit e Barcelonës po synojnë nënshkrimin e një qendërmbrojtësi me përvojë dhe cilësi, i aftë të përshtatet shpejt me filozofinë taktike të trajnerit Hansi Flick.

Fillimisht, klubi ka eksploruar tregun e Premier League, por ka konstatuar se si Marcos Senesi (Bournemouth, 28 vjeç) ashtu edhe Nathan Ake (Manchester City, 30 vjeç) janë opsione të vështira për t’u transferuar.

Si pasojë, menaxhmenti sportiv ka zhvendosur vëmendjen drejt dy tregjeve të tjera: Serie A dhe Bundesliga.

Në kampionatin italian, tre emra janë identifikuar si alternativa të mundshme. Bëhet fjalë për Stefan de Vrij (Inter, 33 vjeç), Juan Jesus (Napoli, 34 vjeç) dhe Koni de Ëinter (Milan, 23 vjeç). Të tre kanë pasur role dytësore në skuadrat e tyre aktuale, çka mund t’i bëjë më të hapur për një transferim në mes të sezonit.

Ndërkohë, në Gjermani, në listën e Barcelonës figuron edhe Luka Vuskovic. Mbrojtësi kroat 18-vjeçar luan për Hamburgun, ku është i huazuar nga Tottenham. Edhe pse shumë i ri në moshë, Vuskovic është ndjekur prej kohësh nga katalanasit dhe shihet si një investim për të ardhmen.

Megjithatë, negociatat e ndërlikuara trepalëshe dhe dëshira e Tottenhamit për ta mbajtur nën kontroll zhvillimin e tij përbëjnë pengesa serioze për realizimin e këtij transferimi.

Barcelona pritet të marrë një vendim përfundimtar në javët në vijim, teksa mungesat në mbrojtje po e detyrojnë klubin të veprojë në afatin kalimtar të janarit, ndonëse fillimisht kjo nuk ishte pjesë e planeve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot