Miralem Pjaniq, ish-mesfushor boshnjak i Juventusit, i cili tashmë ka varur këpucët në gozhdë dhe po nis karrierën si agjent, ka dhënë disa këshilla për merkaton e bardhezinjve. Në një intervistë për ‘Tuttosport’, Pjanic nuk ka pasur dyshime:
“Unë do të merrja Sandro Tonalin. Ka forcë, temperament, di të lexojë lojën dhe të organizojë aksionet.”
Mesfushori i Newcastle-s konsiderohet nga Pjanic si mesfushori më i mirë italian aktualisht dhe për të do të ishte një shtesë ideale për skuadrën e Spalletti-t. Ish-lojtari boshnjak ka folur gjithashtu edhe për trajnerin e Juventusit: “Rikthimi i skuadrës në krye të tabelës nuk më habit, ka pak trajnerë aq të mirë sa Luciano Spalletti.”
Pjanic shton se përveç performancës në fushë, ambicia duhet të jetë gjithmonë e madhe: “Juventus, falë Spallettit, po rritet dhe përmirësohet ndeshje pas ndeshjeje. Renditja është e ngushtë dhe ekipet janë afër.
Kur luan për Juventusin, gjithmonë duhet të synosh më lart dhe maksimumin.”
Këshilla e Pjanic është një sinjal i qartë se, për të, Tonali mund të bëhet një nga shtyllat e ardhshme të mesfushës bardhezi dhe një element vendimtar për të rikthyer Juventusin në garën për titull.