Sulmuesi nga Kosova, Albion Rrahmani, është gati të bëjë hapin e madh në karrierë, duke kaluar nga kampionati çek në atë francez.
Klubi i njohur i Lyon është interesuar seriozisht për ish-lojtarin e Ballkanit, duke bërë edhe një ofertë zyrtare për të.
Sipas “FootMercato, francezët i kanë ofruar 6 milionë euro Spartës së Pragës për të pasur shërbimet e sulmuesit të Kosovës. Një shumë e konsiderueshme, që mund t’i bindë çekët për ta shitur Rrahmanin.
Futbollisti 25-vjeçar ka spikatur këtë sezon me Spartën e Pragës, me 12 gola të shënuar në 32 ndeshje të deritanishme. Paraqitja e tij në kampionatin çek ka tërhequr vëmendjen edhe të klubeve të tjera të kampionateve të forta, madje edhe nga Premier League.
Lyon kërkon të fuqizojë sulmin në afatin kalimtar te dimrit dhe sheh pikërisht Albion Rrahmanin si një nga lojtarët që do ta ndihmonte për pjesën e mbetur të sezonit.
Nëse transferimi në Francë kryhet me sukses, do të ishte pa dyshim një lëvizje e rëndësishme për Rrahmanin.