Nemanja Matiq, futbollist i Serbisë, paska folur për Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën, për dy yje të futbollit shqiptar, dy djem të Republikës së Kosovës, të cilët i dhanë shkëlqim Zvicrës dhe dy herë e rrëzuan Serbinë nga Kampionati Botëror.
Matiqit ende i dhemb në shpirt disfata e Serbisë në Kaliningrad më 2018 (2:1 për Zvicrën) dhe ajo e 2 dhjetorit 2022 në Doha të Katarit.
Pyetja që ai paska shtruar është jo vetëm e panevojshme, por edhe qesharake.
Para se gjithçka tjetër, Matiq duhet t’i drejtohet një pyetje regjimit serb:
Pse nga vera e vitit 1991 e deri më 12 qershor 1999 e okupuat Kosovën?
Pse i përzutë shqiptarët nga palestrat dhe stadiumet që i ndërtuan vetë në Republikën e Kosovës?
Pse sportistëve shqiptarë iu mohua e drejta elementare për të ushtruar sportin në vendin e tyre?
Ju e dini shumë mirë historinë e dhimbshme të popullit shqiptar të Kosovës. Ju e dini shumë mirë pse NATO bombardoi Serbinë agresore nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999.
Prandaj, Matiq, fillimisht bëje këtë pyetje regjimit serb të viteve 90-ta.
Historia nuk fshihet.
“I respektoj si futbollistë, kam luajtur kundër tyre disa herë në Premier League.
Por me ato gjëra të vogla, ata mbledhin pikë të lira politike.
Ata janë rritur në Zvicër.
Duke vepruar kështu, nuk po tregoni respekt për vendin për të cilin luani.
Nëse ju pëlqen kaq shumë Shqipëria, atëherë pse nuk luani për Shqipërinë? Kjo është pyetja ime.
Mund t’ju pëlqejnë disa vende, ky nuk është problem. Mua më pëlqen Serbia, është vendi im.
Më pëlqen edhe Anglia, kam kaluar shumë kohë atje.
Por kurrë nuk do të thoja se më pëlqen Anglia më shumë se Serbia.
Duhet të jesh i sinqertë.
Kam luajtur kundër Xhakës shumë herë dhe nuk kam pasur kurrë problem.
Gjithmonë jemi përshëndetur me dorë, ai është lojtar i mirë, ashtu si edhe Shaqiri.
Por kurrë nuk do ta bëja diçka të tillë për të provokuar dikë. I respektoj të gjithë”, u shpreh Matiq për “FourFourTwo”.