Aktakuzë për krime lufte ndaj një ish-gardiani të burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, ngarkohet për maltretim të të burgosurve

- Bota Sot

Aktakuzë për krime lufte ndaj një ish-gardiani të burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, ngarkohet për maltretim të të burgosurve

Prishtinë-– Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj B.T., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Ai ngarkohet se kreu krime lufte në cilësinë e gardianit të burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lippjan.

Sipas aktakuzës, B.T., në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, në bashkëkryerje me gardianë të tjerë, gjatë periudhës 1998-1999, duke vepruar me dashje, ka shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur përkatësisht, kohës së luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

B.T., ngarkohet se në mënyrë sistematike në bashkëkryerje me gardianë të tjerë maltretuan të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në mënyrë sistematike, ata i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike. I pandehuri, në bashkëkryerje, i kishte lënë të burgosurit pa ushqim për ditë të tëra, i kishte kanosur seriozisht për jetën dhe, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme dhe trajtimit ç’njerëzor, ata kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme”, njofton PSRK.

Andaj, theksohet se këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës, Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot