Në moshën 40-vjeçare, Luka Modriç vazhdon të befasojë.
Mesfushori kroat është bërë protagonist absolut te Milani i Massimiliano Allegri-t, dhe ka dhënë një intervistë të gjatë për ‘Corriere della Sera’, ku ka folur jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për dashurinë e hershme ndaj ngjyrave kuqezi.
"Që si fëmijë isha milanist”, rrëfen Luka Modriç, “sepse Boban ishte heroi im. Kroacia e asaj kohe na hapte horizontin pas një lufte shkatërruese.
Nuk kisha mbushur as trembëdhjetë vjeç kur babai më dhuroi kostumin e Milanit. Jeta, megjithatë, gjithmonë rezervon surpriza: mendova se do të mbyllja karrierën te Real Madridi, por nëse do të kishte një tjetër klub, ai do të ishte Milani. Këtu luhet për të fituar, gjithmonë.
Scudetto? E mundur, por sezoni është i gjatë"
Modric ka zbuluar gjithashtu sekretin e qëndrueshmërisë së tij të jashtëzakonshme:
"Është dashuria, pasioni për futbollin. Dieta dhe stërvitja janë të dytësore. Unë dua normalitetin dhe nuk ndihem unik. Nëse nuk do të isha bërë futbollist, do të më pëlqente të isha kamarier: isha mjaft i aftë.
Prindërit dhe gjyshërit më kanë transmetuar vlera të rëndësishme dhe jam rritur me kafshët".
Me këto fjalë, Modric jo vetëm që konfirmon përkushtimin e tij ndaj Milanit, por dëshmon se vlerat familjare dhe dashuria për futbollin mund të mbajnë gjallë karrierën e një kampioni edhe pas të dyzetave.
Falë tij, Milani ëndërron për madhështi.