Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka uruar qytetarët për Vitin e Ri, duke përkujtuar bashkëpunimet e zhvilluara gjatë vitit 2025 mes dy vendeve.
Lindsay Jagla nga ambasada tha se gjatë vitit ata panë bashkëpunim dhe përkushtim për një të ardhme më të begatë. “Në mbarë vendin pamë bashkëpunim, përkushtim dhe dëshirë të përbashkët për një të ardhme më të sigurt”, u shpreh ajo.
Micah Savige, zyrtar për çështje ekonomike, theksoi bashkëpunimin me bizneset kosovare, duke përmendur pjesëmarrjen në Samitin SelectUSA dhe suksesin e markave amerikane si RcCola, Popeyes dhe Apple Pay. Ai shtoi se partneritetet ekonomike kontribuojnë në forcimin e sektorit privat dhe rritjen e mundësive në vend.
Kevin Miles, drejtor i INL, foli për bashkëpunimin në siguri, duke përfshirë operacione ekstradimi, siguri kibernetike dhe luftimin e krimit të organizuar. David Venez nga grupi ushtarak i SHBA-së theksoi pjesëmarrjen e Kosovës në ushtrimin Defender 25 dhe trajnimet e përbashkëta me Gardën Kombëtare të Iowas.