Legjenda e Real Madridit flet për herë të parë pas lajmeve për infarkt

- Bota Sot

Legjenda e Real Madridit flet për herë të parë pas lajmeve për infarkt

Legjenda e futbollit brazilian, Roberto Carlos, ka mohuar kategorikisht zërat për përkeqësim të gjendjes së tij shëndetësore, pas raportimeve se ishte shtruar në spital.

Ish-mbrojtësi i Real Madridit ka sqaruar se bëhej fjalë për një procedurë mjekësore të planifikuar dhe jo për ndonjë rast emergjent.

52-vjeçari reagoi përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, ku përgënjeshtroi lajmet për një sulm në zemër.

“Dua të sqaroj informacionet e fundit që po qarkullojnë.

Kohët e fundit iu nënshtrova një procedure mjekësore parandaluese, të planifikuar më parë me ekipin tim mjekësor.

Procedura ishte e suksesshme dhe ndihem mirë. Nuk kam pësuar infarkt,” shkroi Roberto Carlos.

Ai shtoi se procesi i rikuperimit po ecën pozitivisht dhe shpreson të rikthehet së shpejti në aktivitetet e tij profesionale. Ish-futbollisti falënderoi gjithashtu stafin mjekësor dhe tifozët për mbështetjen, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për shqetësim.

Roberto Carlos konsiderohet një nga mbrojtësit e majtë më të mëdhenj në historinë e futbollit. Me Real Madridin, ai zhvilloi 527 ndeshje, fitoi katër tituj kampion në Spanjë dhe triumfoi tri herë në Ligën e Kampionëve. Në vitin 2002, ai u shpall kampion bote me Brazilin.

Gjatë karrierës së tij, Carlos ka luajtur gjithashtu për Palmeiras, Inter, Fenerbahçe dhe Corinthians. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot