Mbreti Charles thotë se ai dhe gruaja e tij, Mbretëresha Camilla, u trishtuan shumë kur mësuan për humbjen e jetëve në Crans-Montana mbrëmë.
"Është jashtëzakonisht prekëse që një natë feste për të rinjtë dhe familjet u shndërrua në një tragjedi kaq të tmerrshme", shkruan Mbreti në një deklaratë të publikuar sot në mediat sociale.
Mbreti Charles ndan "admirimin" e tij për punën e shërbimeve të emergjencës dhe shpreh ngushëllimet e tij për viktimat që janë ende në spital, si dhe për ata që kanë humbur të dashurit e tyre në tragjedi, transmeton BBC.
Festimet e Vitit të Ri u shndërruan në tragjedi në Zvicër, pasi një zjarr i madh shpërtheu në orët e para të mëngjesit në një resort luksoz skish, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe rreth 100 të plagosur, sipas autoriteteve.
Zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit në barin Le Constellation, në Crans-Montana, një nga destinacionet më ekskluzive alpine të vendit, njoftoi policia e kantonit Valais.
Autoritetet zvicerane nuk kanë dhënë ende një shifër zyrtare për viktimat, por policia konfirmoi se “dhjetëra persona dyshohet se kanë humbur jetën”. Ministria e Jashtme e Italisë, duke cituar policinë zvicerane, tha se rreth 40 persona kanë vdekur, ndërsa identifikimi i viktimave është i vështirë për shkak të djegieve të rënda.