Klubi i Leçes ka marrë vendimin për të ardhmen e Ylber Ramadanit, i cili është kthyer përsëri në titullar të paprekshëm në radhët e ekipit që luan për mbijetesë në Serinë A.
Mesfushori kuqezi po luan në vitin e tij të tretë radhazi në elitën e futbollit italian me fanellën e këtij klubi dhe ka qenë shpeshherë protagonist me lojën e tij.
Ndaj edhe Leçe nuk ka ndër mend që të heqë lehtë dorë nga futbollisti, kontrata e të cilit skadon në mbyllje të edicionit në fjalë.
Ka qenë vetë Pantaleo Korvino, përgjegjësi i departamentit teknik te Leçes, ai i cili ka shpjeguar para gazetarëve se klubi do të ushtronte klauzolën që kishte vendosur në kontratën e disa futbollistëve të veçantë, për të zgjatur marrëveshjet me një tjetër vit.
“Kemi një opsion për rinovimin e Galo, Ramadanit dhe Banda, të cilën do ta vendosim në zbatim për të zgjatur marrëveshjet”, tha Korvino para mediave, duke zyrtarizuar kështu vendimin për mesfushorin e Kombëtares shqiptare i cili do të mbetet pjesë e Leçes të paktën deri në verën e vitit 2027.
Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që palët të ulen në tavolinën e bisedimeve për të firmosur një kontratë të re afatgjatë mes tyre.