Yildiz shumë pranë rinovimit me juven

- Bota Sot

Yildiz shumë pranë rinovimit me juven

Juventusi po përjeton zhvillime pozitive në lidhje me të ardhmen e Kenan Yildiz, një nga talentet më të çmuara të skuadrës.

Klubi bardhezi është gati të bëjë një hap vendimtar për rinovimin e kontratës së numrit 10, duke i ofruar atij si një rritje të ndjeshme të pagës ashtu edhe garanci të qarta për projektin teknik.

Qëllimi i Juventusit është të “blindojë” talentin turk dhe të shmangë interesimin gjithnjë e më të fortë nga klubet e mëdha europiane si Arsenal, Liverpool dhe Bayern Munich.

Yildiz, i cili e mbylli vitin 2025 në formë shumë të mirë, ka dy kërkesa kryesore për të firmosur rinovimin deri në vitin 2030 ose 2031: një vlerësim ekonomik në përputhje me paraqitjet e tij dhe një projekt sportiv ambicioz, të aftë për të konkurruar për trofetë më të rëndësishëm.

Aktualisht ai përfiton rreth 1.5 milionë euro në sezon, por Juventus është gati t’ia rrisë pagën deri në rreth 6 milionë euro në vit, duke e bërë një nga lojtarët më të paguar të skuadrës, pas Dusan Vlahovic-it.

Një rol kyç në këtë proces ka trajneri Luciano Spalletti. Konfirmimi i tij në stol përtej afatit të shkurtër fillestar shihet si një sinjal i fortë për vazhdimësinë e projektit teknik dhe si një element vendimtar për bindjen e Yildiz-it. Spalletti i ka dhënë liri krijuese 20-vjeçarit, duke e çliruar nga detyrat e shumta mbrojtëse, gjë që ka ndikuar pozitivisht si në performancë ashtu edhe në motivim.

Lidhja emocionale e Yildiz-it me Juventusin është e fortë, e dëshmuar edhe nga momenti simbolik kur mbajti shiritin e kapitenit në “Santiago Bernabeu”.

Megjithatë, për moshën dhe ambiciet e tij, koha e pritjes nuk mund të zgjasë pafund. Javët e para të vitit 2026 pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e tij, me Juventusin të vendosur të mbyllë sa më shpejt marrëveshjen dhe të dërgojë një mesazh të qartë ndaj konkurrencës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot