Felipe Melo: Një narkotrafikant më ndryshoi jetën

- Bota Sot

Felipe Melo: Një narkotrafikant më ndryshoi jetën

Felipe Melo ka pasur frikë vetëm një herë.

Në moshën 15-vjeçare, në Brazil, u përball me një narkotrafikant të gjatë dhe plot tatuazhe:

“Herë pas here rrija në rrethe jo fort të mira.

Një ditë ai më mori mënjanë, më pa në sy, një shikim që s’do ta harroj kurrë, dhe më tha se, po të më shihte sërish aty rrotull, do të më qëllonte. Ke të ardhme në futboll, këtu nuk dua të të shoh më…

E dëgjova. Sot nuk e di ç’u bë me të, besoj se ka vdekur”.

 Felipe Melo është gjithmonë një “lumë” fjalësh, flet për Interin, Juven, të ardhmen si trajner dhe të kaluarën.

Nëse s’do të ishe bërë futbollist, çfarë do të bëje?

Ndoshta do të kisha përfunduar në rrugë të këqija. I falënderoj prindërit e mi. Babai punëtor, nëna shtëpiake. Jam rritur duke kafshuar jetën dhe vështirësitë.

Pse të quajnë “Pitbull”?

Një nofkë që e kam dashur. Njerëzit më kujtojnë vetëm për faullet e rënda, por kam pasur gjithmonë cilësi. Në Botërorin 2010 dhashë asistin më të bukur të gjithë turneut, për Robinho kundër Holandës, ndeshje ku u përjashtova. Një pasim vertikal 20 metra, që e nxori përballë portës…

Juve dhe Inter, si ishte eksperienca juaj italiane?

Kam kujtime të bukura. Te Juventusi kam luajtur gati 100 ndeshje, por isha i ri dhe i papjekur. Bëra dhjetëra gabime dhe i pagova të gjitha.

Çfarë lloj gabimesh?

Një herë humba topin, tifozët më fishkëllyen dhe i ofendova të gjithë.

Kur u ktheva në shtëpi, gruaja më qortoi. Isha djalosh i papjekur, zihesha me të gjithë, përgjigjesha keq, bëhesha nervoz.

U përplasa edhe me Chiellini, siç dihet. Tani jemi pajtuar, u përshëndetëm me përzemërsi në Botërorin për Klube. Ishte edhe Infantino. Është gjenial, po e ndryshon futbollin dhe e vlerësoj.



Lexoni të gjitha në Bota Sot