Fullkrug falënderon tifozët për mbështetjen

- Bota Sot

Fullkrug falënderon tifozët për mbështetjen

Futbollisti Niclas Fullkrug ka shprehur entuziazmin e tij pas debutimit me fanellën e Milanit, duke e cilësuar paraqitjen e parë si një “fillim perfekt të vitit”.

Sulmuesi gjerman bëri debutimin e tij të premten mbrëma, në ndeshjen e parë të vitit në Serie A ndaj Cagliarit.

Ish-lojtari i West Ham u aktivizua nga stoli në pjesën e dytë, ndërsa Milani arriti një fitore minimale 1-0 në transfertë.

Pas ndeshjes, Fullkrug reagoi në rrjetet sociale, ku shkroi se ndihet tashmë si në shtëpi dhe falënderoi tifozët për mbështetjen.

Transferimi i 32-vjeçarit u zyrtarizua nga Milani vetëm disa orë para sfidës në Sardenjë. 

Fullkrug është bashkuar me kuqezinjtë në formë huazimi, me opsion blerjeje.

Fitorja ndaj Cagliarit e ngjiti Milanin në krye të tabelës së Serie A, me dy pikë më shumë se Interi, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot