Një ide gjeniale, veprimi i Joan Garcias është bërë viral në gjithë botën

- Bota Sot

Një ide gjeniale, veprimi i Joan Garcias është bërë viral në gjithë botën

Kampionët aktualë të Spanjës, Barcelona, e nisën vitin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme, duke vazhduar serinë e fitoreve në La Liga.

Mbrëmë, skuadra e drejtuar nga Hansi Flick mposhti Espanyolin me rezultat 2:0 në derbin e madh katalanas, duke regjistruar fitoren e nëntë radhazi në kampionat.

Megjithëse golat u shënuan nga Dani Olmo dhe Robert Lewandowski, çmimi i lojtarit të ndeshjes i takoi me plot meritë portierit të Barcelonës, Joan Garcia.

Portieri i ri, i cili u transferua pikërisht nga Espanyol te Barcelona gjatë kësaj vere, u prit me armiqësi nga tifozët vendas, të cilët e fishkëllen dhe e fyen gjatë gjithë ndeshjes.

Megjithatë, kjo nuk e shqetësoi Garcian, përkundrazi, i dha motivim shtesë për të zhvilluar një paraqitje të jashtëzakonshme, duke ndalur pothuajse çdo tentativë të kundërshtarit.

Një ndërhyrje e tij bie veçanërisht në sy dhe ndodhi në minutën e 20-të të takimit. Espanyol krijoi një rast të mirë përmes Fernandez, gjuajtja e të cilit u prit fillimisht nga Garcia. Topi u rikthye te një lojtar tjetër i Espanyolit, i cili ndodhej në pozicion ideal për të shënuar.

Në atë moment, portieri i Barcelonës mori një vendim brilant. Duke parë se bashkëlojtari i tij Gerard Martin ishte larg dhe rrezikonte të mos arrinte të ndërhynte, Garcia e shtyu lehtë atë drejt zonës dhe u hodh për të ngushtuar këndin, duke i reduktuar hapësirën kundërshtarit për gjuajtje.

Vendimi rezultoi vendimtar, pasi Martin arriti të bllokojë goditjen, duke shmangur një gol të sigurt dhe duke konfirmuar inteligjencën dhe qetësinë e portierit katalanas në momentet kyçe.



Lexoni të gjitha në Bota Sot