Zelensky zotohet se Ukraina do ta vazhdojë luftën nëse bisedimet për paqe dështojnë, çfarë pritet të ndodhë

- Bota Sot

Zelensky zotohet se Ukraina do ta vazhdojë luftën nëse bisedimet për paqe dështojnë, çfarë pritet të ndodhë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka këmbëngulur se, nëse nuk mund të arrihet marrëveshje diplomatike për përfundimit e luftës gjatë bisedimeve të tanishme për paqe, vendi i tij do të vazhdojë të mbrohet kundër pushtimit të plotë nga Rusia.

“Nëse Rusia i bllokon të gjitha këto, dhe, siç thashë, kjo varet nga partnerët tanë, pra nëse partnerët tanë nuk e detyrojnë Rusinë ta ndalë luftën, do të ketë një rrugë tjetër: të mbrohemi”, tha Zelensky më 3 janar, në prag të një jave tjetër të ngjeshur diplomacie.

Këto komente pasqyrojnë ato që udhëheqësi ukrainas i shprehu në fjalimin e tij të Vitit të Ri, kur theksoi se marrëveshja për paqe me Rusinë nuk mund të arrihet me çdo kusht.

“Çfarë dëshiron Ukraina? Paqe? Po. Me çdo kusht? Jo. Ne duam që lufta të përfundojë, por jo Ukraina të marrë fund”, tha Zelensky në fjalimin e tij televiziv.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në nëntor 2025 e shtyu Zelenskyn ta pranonte një propozim për paqe, i cili përmban 28 pika. Shumëkush e kishte vlerësuar këtë plan si shumë të favorshëm për Rusinë.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë të udhëhequr nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania u mobilizuan për ta hartuar një kundërpropozim, duke paraqitur përfundimisht një plan me 20 pika që përfshinte më shumë interesat e Kievit, veçanërisht sa i përket garancive të sigurisë dhe integritetit territorial.

Garancitë e sigurisë, rimëkëmbja ekonomike

Zelensky foli ndërsa këshilltarë të sigurisë nga 15 vende aleate u mblodhën në kryeqytetin ukrainas, ku shtjelluan hollësitë e planit të paqes që po zhvillohet, përfshirë garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën. Pak hollësi u bënë të ditura nga ky takim, por negociatori ukrainas Rustem Umerov tha se pjesëmarrësit diskutuan garancitë e sigurisë, pikat e planit të paqes, rimëkëmbjen ekonomike dhe çështjet ushtarako-politike.

Umerov deklaroi se “për shumicën e qëndrimeve, 90 për qind e planit të paqes, tashmë është arritur pajtueshmëri; puna vazhdon për hollësitë”. Zelensky, në fjalimin e tij të 31 dhjetorit, tha gjithashtu se marrëveshja 90 për qind është arritur, por paralajmëroi se do të jetë e vështirë të arrihet pajtueshmëri për 10 për qindeshin e mbetur.

I dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff, iu bashkua takimit përmes një video-lidhjeje, ndërsa përfaqësues nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian morën pjesë fizikisht. Takimi do të pasohet nga të paktën dy takime të tjera të rëndësishme gjatë javës në vijim. Më 5 janar, Ukraina do të presë një takim të shefave të shtabeve të përgjithshme të vendeve evropiane dhe të tjerëve.

“Takimi synon sigurimin e koordinimit shtesë të veprimeve me aleatët në dimensionin e sigurisë”, tha Umerov.

Macron premton angazhime “konkrete”

Të nesërmen, në Paris, presidenti francez, Emmanuel Macron, do të presë një takim të udhëheqësve evropianë. Macron tha në fjalimin e tij të Vitit të Ri se shtetet evropiane dhe aleatët e tjerë do të bëjnë zotime “konkrete” për sigurinë e Ukrainës gjatë bisedimeve. Zelensky shprehu shpresën për një samit të udhëheqësve botërorë në Shtetet e Bashkuara deri në fund të janarit, për t’i diskutuar propozimet e paqes.

“Ne do të përgatitemi për një takim në Shtetet e Bashkuara në nivel udhëheqësish. Do të donim që e gjithë kjo të ndodhte në janar, deri në fund të janarit”, tha Zelensky.

Rusia nuk po merr pjesë drejtpërdrejt në bisedimet e Ukrainës me Shtetet e Bashkuara apo evropianët, ndërsa Kievi kërkon garanci të forta që do të shoqëronin çdo marrëveshje të mundshme paqeje.

Trump “i pakënaqur” me udhëheqësin rus

Ndërkohë, më 3 janar, Trump shprehu zhgënjimin e tij me presidentit rus, Vladimir Putin, për vazhdimin e luftës në Ukrainë.

“Nuk jam i kënaqur me Putinin. Ai po vret shumë njerëz”, u tha Trump gazetarëve në resortin e tij në Florida. Trump e ka lavdëruar shpesh Putinin dhe ka thënë se beson se udhëheqësi rus është i interesuar për një marrëveshje paqeje.



Lexoni të gjitha në Bota Sot