Mirlind Daku nuk mendon ta braktisë skuadrën e tij, Rubinin, pikërisht tani në janar.
Vetë babai i tij, Feimi, që luan rolin e menaxherit, ka pohuar për mediat ruse se djali i tij është i përqëndruar tek sezoni në vazhdim, ku ka objektiva të rëndësishme.
Nuk dihet saktësisht se cilat mund të jenë kërkesat për shqiptarin, por mediat ruse e kanë atë njërin nga personazhet më të rëndësishme për vetë atë që ai përfaqëson.
Verën e kaluar, Daku ishte thuajse lojtar i Zenitit në Shën Peterburg, pra mund të bashkohej me klubin më të rëndësishëm të Rusisë, diçka që u prish në momentin e fundit.
Rubin reagoi duke i rinovuar kontratën me rritje të ndjeshme rroge, ndonëse besohet se nuk merr më shumë se 2 milionë euro në sezon.
Në dhjetor, gazetat moskovite shkruanin se sulmuesi ishte një nga 7 lojtarët më të mirë në Premier Ligë që meritojnë të luajnë në një skuadër më të fortë.
Gjithsesi, Daku gjykon se do të jetë më mirë që ai të largohet në verë, nëse kjo do të ndodhë, dhe sidomos do të ketë dëshirë të provojë një ligë të fortë të Europës.
Kartoni i tij vlen 10 milionë euro, ndonëse vështirë që dikush qoftë edhe në Angli, Spanjë, Itali apo Gjermani të shpenzojë kaq shumë për të.
Për momentin, pritet fillimi i fazës përgatitore dimërore dhe rinisja e kampionatit, dhe Daku synon Këpucën e Artë, duke pasur 9 gola deri tani në 17 ndeshje, plus një asist.