Struga Trim Lum të hënën (05 janar), do të ketë grumbullimin e parë në vitin 2026.
Në të njëjtin pritet të paraqiten që të gjithë futbollistët, të cilët tashmë në mënyra të ndryshme kanë shfrytëzuar pushimet e tyre.
Ekipi do të grumbullohet në orën 13:00 në stadiumin e qytetit, aty ku nga trajneri Bledi Shkëmbi pritet që të njoftohen me rrjedhojën e stërvitjeve në prag të ndeshjeve të stinorit pranveror.
Fazën e parë të përgatitjeve, Struga Trim Lum do ta zhvillojë në Strugë aty ku do të qëndrojë deri me datë 17 janar. Brenda kësaj periudhe skuadra ka paraparë të zhvillojë edhe dy ndeshje kontrolluese, ndërsa mëngjesin e 17 janarit ekipi do të fluturojë drejt Antalisë në Turqi, aty ku do të zhvillojë edhe fazën kryesore të përgatitjeve.
Sigurisht, që edhe në Turqi ekipi strugan ka planifikuar disa ndeshje kontrolluese me kundërshtarë të huaj, që gjithashtu do të zhvillojnë përgatitjet në atë periudhë në tokën turke, ku Struga Trim Lum do të qëndrojë deri me datë 31 janar.