Paladino merr si shembull Gjimshitin: E morëm këtë fitore me forcë

- Bota Sot

Paladino merr si shembull Gjimshitin: E morëm këtë fitore me forcë

Atalanta mundi me shifrat 1:0 Romën në ndeshjen e të shtunës në darkë në Serinë A, duke siguruar pikë të rëndësishme për t’iu afruar më shumë grupit të skuadrave që luftojnë për një vend në Europë.

Një fitore që pa si protagonist Berat Gjimshitin, perfekt në këtë sfidë ndaj skuadrës së drejtuar nga ish-trajneri i bergamaskëve, Xhampiero Gasperini, duke lënë pas krahëve gabimin e rëndë me Interin që solli fitoren e zikaltërve.

Një paraqitje që është vlerësuar publikisht edhe nga trajneri Rafaele Paladino pas sfidës, duke marrë për shembull mbrojtësin shqiptar për të shpjeguar shpirtin e skuadrës që drejton.

“Më pëlqen ky koncept, kur rrëzohesh, duhet të kesh forcën të ringrihesh. I ndodhi Gjimshitit i cili pas gabimit me Interin, bëri një ndeshje të madhe sot. Atalanta nuk u dorëzua kurrë dhe reagoi, duke marrë me forcë të madhe këtë fitore të rëndësishme”, tha Paladino para mediave pas përfundimit të ndeshjes.

Tani Atalanta është në kuotën e 25 pikëve, 5 pas Komos që mban vendin e 6-të që siguron praninë në kompeticionet europiane në sezonin e ardhshëm.



Lexoni të gjitha në Bota Sot