Edhe pse shkëlqeu ndaj Real Betisit me het-trik, Gonzalo Garcia ka qëndruar me këmbë në tokë duke e pranuar vendin si rezervë e Kylian Mbappes.
Talenti spanjoll tha se francezi e meriton vendin e titullarit sepse shënon në secilën lojë ndërsa ai vetëm duhet të punojë për të fituar minuta.
Garcia ishte lojtari i ndeshjes për Realin, në fitoren 5-1 ndaj Betisit ku e kompletoi het-trikun e parë në La Liga.
“Zhvillon pak minuta? E vërtetë por sepse Kylian Mbappe luan para meje dhe po kalon një sezon të shkëlqyer”.
“Ai thuajse shënon një gol në secilën ndeshje. Është më i miri në botë, prandaj e kuptoj se pse jam rezerva e tij”.
“Do të provoj më të mirën dhe të gjithë janë me mua”, deklaroi ai.
Për Garcian kjo ishte vetëm ndeshja e dytë si titullar në La Liga për “Los Blancos”, kurse këto tre gola ishin të parat për të këtë edicion, derisa Mbappe tashmë ka shënuar 29 sosh.
Përndryshe, ende nuk dihet nëse Mbappe do të rikthehet për Superkupën e Spanjës, e cila do të zhvillohet në Arabinë Saudite. Aty Reali do të luajë ndaj Atleticos në gjysmëfinale.