Për rreth katër orë gjatë ditës së djeshme, zyrtarë të lartë të klubit të mirënjohur turk Galatasaraji kanë qëndruar në ambientet e klubit të futbollit Flamurtari në Vlorë. Vizita, e cila konsiderohet mjaft e rëndësishme për të ardhmen e klubit vlonjat, u zhvillua në kuadër të një projekti bashkëpunimi afatgjatë mes dy klubeve. Delegacioni turk përbëhej nga drejtues të lartë të Galatasaray, si edhe nga agjentë të njohur sportivë të lidhur me këtë klub, të cilët u pritën në katin e dytë të stadiumit nga presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi.
Takimi ishte i gjatë dhe i detajuar, duke u fokusuar kryesisht në ndërtimin e një partneriteti strategjik që synon zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe ringritjen e akademisë së Flamurtarit. Në qendër të diskutimeve ishte bashkëpunimi në fushën e akademisë së të rinjve, ku parashikohet ndërtimi i fushave stërvitore moderne, terreneve sportive, sallave multifunksionale dhe ambienteve të përshtatshme për ushtrimin e disa disiplinave sportive. Qëllimi kryesor i këtij projekti është krijimi i kushteve bashkëkohore për formimin e sportistëve të rinj, duke e ngritur akademinë e Flamurtarit në një nivel të krahasueshëm me standardet europiane.
Bashkëpunimi mes Flamurtarit dhe Galatasaraji nuk do të kufizohet vetëm në infrastrukturë. Palët diskutuan gjithashtu për shkëmbimin e eksperiencave mes stafeve teknike, trajnime të përbashkëta për trajnerët dhe specialistët e fushave të ndryshme, si edhe mundësi konkrete për shkëmbime lojtarësh, veçanërisht të rinj premtues që mund të përfitojnë nga eksperienca e një klubi të madh si Galatasaraji. Gjatë bisedimeve, grupit të zgjeruar iu bashkua edhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, e cila shprehu mbështetjen e institucioneve vendore për këtë projekt, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit në qytet.
Në takim ishte i pranishëm edhe zv/presidenti i Flamurtarit, Kreshnik Çipi, i cili vlerësoi interesin e treguar nga klubi turk dhe rëndësinë që ky bashkëpunim ka për të ardhmen e Flamurtarit. Sipas burimeve pranë klubit, pritet që brenda dy ose tre ditëve të ardhshme të bëhet prezantimi zyrtar i projektit, i cili konsiderohet ambicioz dhe me vizion afatgjatë. Ky projekt synon jo vetëm ndërtimin e terreneve sportive moderne, por edhe ringritjen e akademisë së Flamurtarit në një stad të lartë zhvillimi, duke e kthyer klubin vlonjat në një pikë referimi për formimin e talenteve në futbollin shqiptar.