Struga Trim Lum nën urdhërat e trajnerit Bledi Shkëmbi edhe zyrtarisht sot nisi përgatitjet për stinorin pranveror në elitën e futbollit maqedonas.
Prezent në grumbullimin e parë të vitit 2026, ishin të gjithë futbollistët, me përjashtim të sulmuesit Bassirou Compaore, i cili skuadrës do ti bashkohet gjatë ditës së nesërme, kjo për shkak të anulimit të fluturimit me të cilin duheshe të udhëtojë nga Stambolli drejt Shkupit.
Pjesa tjetër ishte OK, dhe të njëjtit zhvilluan edhe seancën e parë stërvitore dhe të vetme të ditës së sotme. Nga nesër ekipi strugan do të ketë nga dy stërvitje, ndërsa me këtë ritëm do të punohet deri me datë 17 janar në qytetin e bukur të Strugës.
Brenda kësaj periudhe skuadra e Struga Trim Lum ka paraparë të zhvillojë edhe dy ndeshje kontrolluese në datat 10 dhe 14 janar, ndërsa nga 17 janari do të transferohet në Antalia në Turqisë, aty ku do të zhvillojë edhe fazën kryesore të përgatitjeve.
Në tokën turke skuadra e Bledi Shkëmbit do të qëndrojë deri me datë 31 janar, ku edhe do të zhvillojë edhe 4 ndeshje kontrolluese me kundërshtarë të huaj.
Nga data 1 shkurt kjo skuadër do të rikthehet në Strugë për të vijuar me fazën e tretë të përgatitjeve para startit të stinorit pranveror me datë 11 shkurt.