Punimet për rikthimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes në disa zona të jugperëndimit të Berlinit po vazhdojnë dhe sot, ndërsa dhjetëra mijëra banorë mbetën pa furnizim për të katërtën ditë radhazi, në një kryeqytet të mbuluar nga bora.
Rreth 45 000 familje dhe mbi 2 200 biznese në lagjet ”Nikolassee”, ”Zehlendorf”, ”Wannsee” dhe ”Lichterfelde” mbetën pa energji elektrik të shtunën, pasi kabllo të tensionit të lartë që çojnë drejt një centrali elektrik u përfshinë nga zjarri.
Autoritetet e Berlinit besojnë se pas sulmit qëndron një grup militantësh të majtë.
Deri tani, energjia elektrike u është rikthyer rreth 19 500 familjeve dhe rreth 1 000 bizneseve, por operatori “Stromnetz Berlin” njoftoi se mund të duhen deri të enjten që të gjithë përdoruesit të rilidhen me rrjetin, pasi riparimet janë komplekse.
Policia, zjarrfikësit dhe ushtria janë angazhuar në zonat e prekura për të ndihmuar personat që nuk kanë mundur të strehohen te familjarë apo miq në pjesë të tjera të Berlinit, ku temperaturat kanë qenë nën zero.
Spitalet arritën të vazhdojnë funksionimin falë gjeneratorëve të emergjencës dhe tashmë u është rikthyer furnizimi me energji. Ndërkohë, 72 nga 74 shtëpitë e kujdesit të prekura po furnizohen sërish me energji, sipas ”Stromnetz Berlin”.