Flamurtari bllokon largimet

- Bota Sot

Flamurtari bllokon largimet

Flamurtari blindon grupin, drejtuesit mbyllin çdo derë largimi gjatë merkatos dimërore.

Drejtuesit e Flamurtarit kanë vendosur të ndjekin një linjë të qartë dhe të prerë gjatë kësaj periudhe merkatoje, duke mos lejuar lëvizje të pakontrolluara në skuadër.

Klubi vlonjat ka “blinduar” praktikisht grupin, duke bërë të ditur se asnjë futbollist që është nën kontratë nuk do të largohet pa pëlqimin e klubit dhe pa u respektuar në mënyrë rigoroze marrëveshjet e firmosura.

Sipas burimeve të “Panorama Sport”, i vetmi lojtar që ka mbyllur zyrtarisht bashkëpunimin me Flamurtarin është Bruno Telushi, të cilit i ka përfunduar kontrata.

Për ish-kapitenin vlonjat nuk ka pasur bisedime për rinovim dhe palët kanë zgjedhur të ndajnë rrugët pa polemika. Për të gjithë futbollistët e tjerë, situata mbetet e pandryshuar, pasi kontratat janë ende aktive dhe klubi nuk ka ndërmend të hapë negociata për largime të njëanshme.

Në këtë kuadër, Flamurtari ka vendosur të mbyllë çdo derë për futbollistët që mund të synojnë largimin, por edhe për klubet e tjera që mund të shfaqin interesim.

Mesazhi i drejtuesve është i qartë dhe i drejtpërdrejtë: çdo lëvizje duhet të kalojë përmes klubit dhe çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me politikat e Flamurtarit. Zyrtarë të klubit deklarojnë për gazetën se nuk do të ketë tolerime apo përjashtime.

“Nuk do të largohet asnjë futbollist pa u ulur më parë në bisedime me klubin dhe pa përmbushur të gjitha detyrimet kontraktuale. Politikat e merkatos i ndjek vetëm klubi. Kushdo që dëshiron të largohet, duhet të flasë më parë me ne.

E njëjta gjë vlen edhe për klubet që mund të shfaqin interes për lojtarët tanë”, theksojnë burime zyrtare nga Flamurtari. Deri në këtë fazë të merkatos, nga skuadra vlonjate janë larguar vetëm Jose Rodriguez, Heiderber Ramirez dhe Bruno Telushi, ndërsa për emra të tjerë nuk priten ndryshime të menjëhershme.

Drejtuesit synojnë stabilitet, vazhdimësi dhe ruajtjen e boshtit kryesor të ekipit për pjesën e mbetur të sezonit, duke qenë se në këtë merkato nuk ka shumë alternativa në treg.



Lexoni të gjitha në Bota Sot