Radamel Falcao është rikthyer te Millonarios, klub kolumbian nga i cili kishte ikur gjatë verës së kaluar, pas dy sezonësh bashkëpunimi.
“Radamel Falcao García rikthehet në shtëpinë e tij! Një ‘vallëzim i fundit’”, shkruhej në njoftimin e klubit, i ndarë edhe në rrjetet sociale.
Gjatë dy sezonëve të fundit me Millonarios, sulmuesi i njohur ka luajtur 29 ndeshje dhe ka shënuar 11 gola, duke treguar përsëri ndikimin e tij në fushë. Rikthimi i tij pritet të sjellë përvojë dhe cilësi te ekipi kolumbian për sezonin e ri.
Radamel Falcao ka pasur një karrierë të spikatur në Europë, duke luajtur për disa nga klubet më të njohura. Ai filloi të bëhej i njohur te Porto, në Portugali, ku fitoi tituj dhe shënoi gola të rëndësishëm në Ligën e Evropës dhe Ligën e Kampionëve. Më pas kaloi tek Atlético Madridi në Spanjë, ku u bë një nga sulmuesit më të frikshëm në Europë dhe fitoi Ligën e Evropës dhe Superkupën e UEFA-s.
Pas suksesit në Spanjë, Falcao u transferua te Monaco në Francë, ku vazhdoi të tregonte klas dhe shënoi gola të shumtë, duke e bërë skuadrën pretendent për tituj. Ai pati edhe përvoja më të vështira te Manchester United dhe Chelsea në Angli, ku nuk arriti të përsëriste nivelin e tij më të lartë për shkak të lëndimeve dhe formës jo të qëndrueshme.