Pranoi që ka konsumuar lëndë narkotike, nis hetimi ndaj ish- ministrit grek të Financave

- Bota Sot

Pranoi që ka konsumuar lëndë narkotike, nis hetimi ndaj ish- ministrit grek të Financave

Autoritetet greke kanë nisur një hetim paraprak lidhur me një video ku kreu i partisë “MeRA25”, Janis Varufakis, pranon se ka përdorur lëndë narkotike, mes tyre edhe ecstasy.

Gjatë hetimit do të shqyrtohet nëse është kryer vepra penale e nxitjes ose reklamimit të përdorimit të drogave, apo ndonjë vepër tjetër penale.

Videoja është dërguar pranë organeve të prokurorisë nga Shërbimi për Luftën Kundër Drogës i Policisë Greke.

Deklaratat e Varufakis u bënë në podcastin “Phasma”, të moderuar nga Gaia Merkouri dhe Dimitris Petrichos, ku ai ka ndarë përvoja personale nga kontakti i tij me substanca narkotike.

Në video, Varufakis thotë se ka provuar ecstasy një herë në jetën e tij dhe se ka përdorur kanabis.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ka marrë pjesë ndonjëherë në festa rave dhe nëse ka provuar substanca, ai u shpreh pa hezitim: “Kam marrë substanca, si mund të mos kisha marrë.

Jam paksa i mërzitshëm, për fat të keq. Kam marrë ecstasy një herë dhe ishte një përvojë e jashtëzakonshme, deri pas dy ditësh. Më pas pata një migrenë të tmerrshme, nuk e di çfarë më kishin dhënë.

Ishte në Sidnei dhe e mbaj mend si një moment shumë të rëndësishëm, në vitin 1989. Kërceva për 15-16 orë pa u ndalur, por vuajta për një javë më pas dhe nuk e përdora më kurrë”, rrëfen ai.

Në të njëjtin kontekst, Varufakis thekson se substanca që i është dukur dhe vazhdon t’i duket më e këndshme është kanabisi, duke thënë:

“Për mua, ajo që ishte shumë e këndshme dhe mbetet e tillë, edhe pse tani nuk e gjej më dhe askush nuk ma jep, është bari i thjeshtë”.

“Kur je i dehur nga droga, egoja zmadhohet”

Në një pyetje tjetër, Varufakis u pyet se me kë nga Angela Merkel, Aleksis Tsipras, Adonis Georgiadis dhe Kyriakos Mitsotakis do të pinte një “cigare holandeze”, duke u përgjigjur:
“Me Angelën, çfarë pyetjeje është kjo? Do të doja ta shihja të droguar. Kur je i droguar, egoja jote zmadhohet. E imagjinoni kështu Mitsotakisin? Mendoj se ishte diçka si Android dhe do të doja ta shihja këtë Android të droguar”.

Gjithashtu, Varufakis u pyet nëse do t’i jepte këshilla vajzës së tij për përdorimin e substancave, duke u shprehur:
“Së pari, vajza ime nuk pranon këshilla nga unë. I ka bërë të gjitha dhe nuk ka nevojë për këshillat e mia. Kur prindërit u thonë fëmijëve ‘mos e bëj këtë’, ata do ta bëjnë. Nuk më shqetëson eksperimentimi, më shqetëson varësia”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot