Legjenda e Liverpoolit nis betejën më të vështirë

- Bota Sot

Legjenda e Liverpoolit nis betejën më të vështirë

Kevin Keegan, një nga figurat më të mëdha në historinë e futbollit anglez dhe legjendë e Liverpoolit, është diagnostikuar me kancer. Lajmi u konfirmua këtë të mërkurë nga familja e tij përmes një komunikate zyrtare. Ish-lojtari dhe ish-trajneri, tashmë 74 vjeç, ndodhet aktualisht në spital, ku po kryen ekzaminime të mëtejshme përpara se të nisë trajtimin.

Në deklaratën e familjes thuhet se Keegan ishte shtruar për një vlerësim më të thelluar të disa simptomave abdominale që kishte shfaqur kohët e fundit. Këto ekzaminime çuan në diagnostikimin e sëmundjes.

“Kevin është mirënjohës ndaj stafit mjekësor për ndërhyrjen dhe kujdesin e vazhdueshëm. Në këtë periudhë të vështirë, familja kërkon privatësi dhe nuk do të bëjë deklarata të tjera”, thuhet në njoftim.

Kevin Keegan mbetet një emër ikonë i futbollit europian.

Me Liverpoolin, ai fitoi tetë trofe, përfshirë Kupën e Kampionëve të Europës 1976/77, dy Kupa UEFA dhe tre tituj kampionë të Anglisë. Karriera e tij brilante vazhdoi edhe në Gjermani, ku u shpall kampion me Hamburgun në sezonin 1978/79.

Po ashtu, Keegan u vlerësua dy herë radhazi me Topin e Artë, në vitet 1978 dhe 1979, një arritje që e vendosi përfundimisht mes legjendave të futbollit botëror.

Pas lajmit, disa nga klubet e tij të mëparshme, përfshirë Southampton dhe Newcastle, kanë reaguar duke i uruar shërim të shpejtë. Keegan ka pasur edhe një karrierë të rëndësishme si trajner, duke drejtuar Newcastle-in në dy periudha, si dhe Fulhamin, Manchester City-n dhe Kombëtaren e Anglisë, përpara se të largohej përfundimisht nga futbolli në vitin 2008.

E gjithë bota e futbollit është sot pranë Kevin Keegan, duke i uruar forcë në këtë sfidë personale.



Lexoni të gjitha në Bota Sot