Një familje pesëanëtarëshe nga Ratkoci i Rahovecit është përfshirë në një aksident të rëndë trafiku në Waldshut–Tiengen të Gjermanisë, vetëm pak minuta para se të mbërrinte në vendin ku jetonte. Lajmi është bërë i ditur nga gazetari Bahri Cani, i cili ka apeluar për kujdes maksimal gjatë udhëtimeve në këto ditë me kushte të vështira atmosferike.
Cani sipas burimeve të mirëinformuara, ka thënë se gjendja shëndetësore e familjes nuk ka shënuar përmirësime të mëdha gjatë natës. Njëri nga fëmijët vazhdon të jetë në gjendje më të rëndë, ndërsa anëtarët e tjerë raportohet se janë në gjendje stabile. Ata po trajtohen nga ekipet mjekësore në Zvicër dhe në Gjermani.
Në automjet ndodheshin prindërit, rreth 30 vjeç, dhe tre fëmijë: një fëmijë trevjeçar dhe dy foshnje. Aksidenti ka ndodhur si pasojë e përplasjes me një automjet tjetër, edhe pse shkaqet dhe rrethanat e sakta janë ende nën hetim nga policia gjermane, e cila pritet të dalë me njoftim zyrtar.
Në reagimin e tij, Bahri Cani ka bërë thirrje të vazhdueshme për kujdes ndaj bashkatdhetarëve që po kthehen nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina dhe vende të tjera drejt Evropës Perëndimore. Ai ka theksuar se gjendja në rrugë është e rënduar për shkak të borës, shiut, ngricave, pritjeve të gjata në kufij dhe lodhjes së madhe gjatë udhëtimit.
Postimi i plotë:
Kujdes miq - rruga është e gjatë, moti i keq, pritjet e gjata...
Gjendja shëndetësore e familjes pesëanëtarëshe nga Ratkoci i Rahovecit, që është aksidentuar dje në Waldshut - Tiengen të Gjermanisë, nuk ka ndryshuar shumë gjatë natës.
Sot nga burime të informuara shumë mirë u informova se një fëmijë është akoma një gjendje më të rëndë, të tjerët janë, siç thuhet, në gjendje stabile. Ata janë duke u trajtuar nga mjekët në Zurich dhe në Gjermani. Në makinë kanë qenë prindërit të moshës rreth 30 vjeç dhe tre fëmijë - një tre vjeç dhe dy bebe!
Aksidenti ka ndodhur vetëm pak minuta para mbërritjes së tyre në vendin ku jetonin. Aa janë ndeshur me një automjet tjetër, i cili po ashtu ka përjetuar lëndime.
Detajet dhe shkaqet e aksidentit të rëndë janë duke u hetuar nga policia, dhe ata janë kompetentë ti kumtojnë.
Por unë apeloj edhe një herë: Të gjithë ju që po ktheheni nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e vende të tjera të keni kujdes dhe të pushoni gjatë rrugës.
Në ditët e kaluara kam apeluar të na njoftoni me gjendjen në rrugë, kam apeluar të keni kujdes dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin.
Apeloj prapë, sepse gjendja në rrugë është jo e mirë, ka borë, shi, pritje tepër të gjata në kalimet kufitare, maltretime e nervoza...
Unë fola mbrëmë prapë edhe një herë me përfaqësuesit e Sharr Travel, që udhëtojnë çdo ditë në rrugët nga Kosova deri në Zvicër dhe ata e kanë të njëjtin apel: Keni kujdes gjatë udhëtimit, sepse rrugët janë pjesërisht me borë, pritjet e gjata dhe jo të këndshme.
Borë e shi, acar e lagështi ka pothuajse në të gjitha rrugët deri në Gjermani e vende të tjera. Edhe në Gjermani ka shumë borë e ngrica në rrugë. Kujdes miq!
Fillimisht urojmë që të gjithë antëarët e familjes nga Ratkoci të shërohen sa më shpejt, ndërsa të gjithë juve të tjerëve ju uroj një rrugë të mbarë dhe të arrini shëndosh e mirë në vendet ku jetoni!