Mesfushori i Kombëtares, Kristjan Asllani duket se nuk po gjen qetësi në Serinë A dhe e ardhmja e tij pritet të jetë në La Liga.
Ai u largua nga Interi për në Torino gjatë verës, por nuk ka arritur pritshmëritë e duhura dhe duket se ka arritur në fund të aventurës së tij me klubin italian.
Edhe mbrëmë ishte në stolin e Torinos në ndeshjen kundër Udinezes njësoj si në ndeshjen e mëparshme kundër Veronës.
Sipas MARCA, Girona në Spanjë thuhet se po shfaq interes për futbollistin e Kombëtares kuqezi.
Klubi katalanas ka kryer një studim fillestar duke i kërkuar Interit informacion mbi lojtarin dhe është përpjekur të kuptojë se çfarë mundësie ka për një negociatë të mundshme me zikaltërit. Drejtuesit e Gironës tashmë e kanë prioritet transferimin e 23-vjeçarit në Spanjë.
Asllani ka qenë një lojtar i rregullt për Torinon në këto muajt e parë, duke bërë 16 paraqitje në Serie A dhe Kupën e Italisë, por klubi duket se ka konsideruar ndërprerjen e huazimit të tij nga Interi parakohe.
Torino gjithashtu kishte një opsion blerjeje, të vendosur në 12 milionë euro, me zikaltërit që mbanin një interes prej 20% në çdo rishitje të ardhshme.