Harry Kane vazhdon të lërë gjurmë në Bundesligë. Sulmuesi anglez i Bayern-it është shpallur Lojtari i Muajit për dhjetorin, duke u renditur i pari në votim përpara bashkëlojtarëve të tij Michael Olise dhe Josip Stanshiq, si edhe Christoph Baumgartner, Yan Diomande (RB Leipzig) dhe Patrick Wimmer (VfL Wolfsburg).
Ky është çmimi i dytë individual i sezonit për Kane, pasi ai kishte fituar edhe vlerësimin e Lojtarit të Muajit në shtator, duke konfirmuar një fillim shumë të fortë të edicionit me fanellën bavareze.
Performancat e tij kanë qenë vendimtare për Bayern-in, veçanërisht në një periudhë të ngarkuar të kampionatit.
Sipas faqes zyrtare të Bundesligës, çmimi përcaktohet përmes një procesi me dy faza: fillimisht analizohen të dhënat e performancës së lojtarëve në fushë, ndërsa më pas përfshihen votat e tifozëve dhe të ekspertëve. Ky kombinim e bën çmimin një pasqyrim të drejtë të formës reale të futbollistëve.
Gjatë tri ndeshjeve të Bundesligës në muajin dhjetor, Kane realizoi pesë gola, më shumë se çdo lojtar tjetër në kampionat. Ai gjithashtu regjistroi numrin më të madh të goditjeve drejt portës, plot 18, pavarësisht se nuk ishte titullar në asnjërën prej tyre.
Moment kulmor ishte java e 13-të, kur Bayern fitoi 5–0 ndaj Stuttgart-it: Kane hyri nga stoli dhe shënoi një “hat-trick”, duke treguar ndikim të menjëhershëm.
Me këto paraqitje, Harry Kane konfirmon statusin e tij si një nga ‘yjet’ kryesorë të Bundesligës dhe një armë vendimtare për Bayern-in në garën për trofetë e sezonit.