Nuhiu gëzon tifozët dhe duartroket punën e drejtuesve

- Bota Sot

Nuhiu gëzon tifozët dhe duartroket punën e drejtuesve

Tirana po përgatitet për duelin me Skënderbeun, sfidë e cila do të luhet ditën e nesërme në “Selman Stërmasi”.

Përballje e cila do të startojë në orën 13:00 dhe që është e vlefshme për fazën e 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë.

Në prag të kësaj sfide ka folur për mediat Ardian Nuhiu. Trajneri i Tiranës ka vlerësuar merkaton e bërë deri më tani nga drejtuesit, teksa shprehet se Xhixha dhe Ernest janë futbollistë shumë cilësorë, ndërsa janë në bisedime edhe me 2-3 futbollistë të tjerë.

Sa i takon Kupës, shprehet se për Tiranën është shumë e rëndësishme dhe se ekipi do të luftojë shumë për të fituar trofeun. Ndër të tjera nënvizon se skuadra do të ketë një mentalitet fituesi dhe do të luajnë vetëm për fitore në sfidat e ardhshme.

“Kemi analizuar kundërshtarin me shumë kujdes, pozicionin në të cilin është flet mjaftueshëm për një skuadër të organizuar, stabile me lojtarë që janë për një kohë të gjatë bashkë.

Edhe në aspektin taktik qëndrojnë shumë mirë bashkë, kanë ide të qarta, por edhe dalje të shpejta në tranzicion. Padiskutim jemi munduar të sjellim sa më shumë informacione për skuadrën tonë, kemi sjellë prurje të reja.

Me drejtuesit kemi punuar jashtëzakonisht shumë, jemi munduar të ruajmë grupin që kishim në ndeshjet e fundit, të ruajmë mentalitetin apo shpirtin garues te grupi dhe me prurjet e reja është shtuar cilësia për të bërë një ndeshje me intensitet, të jemi të kujdesshëm por edhe të dalim te mënyra e lojës.

Theksova më herët, pres të luftojmë shumë, kemi shtuar cilësinë me prurjet e reja dhe me grupin e ruajtur. Shoh një skuadër më krijuese dhe besoj fuqishëm te kjo pjesë që do të jemi skuadër që do të shënojmë dhe fitojmë.

Është Tirana, Kupa është e rëndësishme, por çdo ndeshje për ne është si një finale, ta luajmë sikur të ishte e fundit apo që na sjell trofe po u futëm me këtë qasje dhe mentalitet përballë çdo kundërshtari atëherë besoj tek të dyja për ecuri pozitive.

Drejtuesit po punojnë për të sjellë edhe 2-3 koka në skuadër, jam i përqëndruar te ndeshja e nesërme, mua si trajner më takon ta përgatis për nesër por edhe për kampionat, për prurjet vendosin drejtuesit, po bisedojnë për 2-3 koka.

Është e rëndësishme edhe jam i bindur që asnjëri nga ne nuk do të dorëzohet, do të punojmë fort për të arritur objektivat e skuadrës tonë. Në këtë moment kjo është e rëndësishme, të mos dorëzohemi në asnjë moment dhe të besojmë fuqishëm që do të arrijmë objektivat.

Heshtja në konferencat para ndeshjeve? Më tepër kërkuam që të punonim në fushë dhe ti linim muhabetet, mendoj që na ka shërbyer mirë, përkushtimi te puna dhe mënyra se si djemtë kanë lënë shpirtin në fushë.

Xhixha dhe Ernest janë futbollistë cilësorë, po përshtaten, ngelet përgatitja fizike sepse e dimë që kanë qenë edhe festat, futbollistët kanë qenë pushim, duhet të jemi të kujdesshëm me gjithsecilin që të mos shkojmë te ndonjë dëmtim, gradualisht po mundohemi ti përgatisim dhe ti përshtatim me grupin”, ka përfunduar timonieri i kryeqytetasve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot