Manchester City ka nënshkruar me Antoine Semenyo nga Bournemouth në një marrëveshje transferimi me vlerë të paktën 62.5 milionë paund.
Sulmuesi ganez, 26 vjeç, ka firmosur një kontratë deri në qershor të vitit 2031 në “Etihad Stadium” dhe do të mbajë fanellën me numrin 42.
Transferimi i Semenyos përfaqëson shitjen më të madhe në historinë e Bournemouthit dhe, sipas raportimeve, “Cherries” do të përfitojnë një pagesë fillestare prej 62.5 milionë paundësh.
City arriti të negociojë një marrëveshje më të ulët se klauzola e lirimit prej 65 milionë paundësh që ishte në kontratën e tij, duke bërë të mundur pagesën e shumës brenda 24 muajve.
Bournemouth mund të përfitojë gjithashtu edhe 1.5 milionë paundë shtesë në formë bonusesh të lidhura me performancën, si dhe 10 për qind të fitimit nga një shitje e mundshme e ardhshme.
Semenyo iu bashkua Bournemouthit nga Bristol City në janar të vitit 2023 dhe gradualisht është shndërruar në një nga sulmuesit më të spikatur të Premier League.
Ai shënoi 11 gola në kampionat sezonin e kaluar, shifra më e mirë e karrierës së tij, duke tërhequr interesin e klubeve si Chelsea, Liverpool, Manchester United dhe Tottenham.
Megjithatë, gjatë verës, Semenyo nënshkroi një kontratë të re për të qëndruar te Bournemouth, duke zbehur frikën për një largim para nisjes së sezonit të ri.
Semenyo kalon te City me një bilanc prej 10 golash në 21 ndeshje deri tani këtë sezon, me golin e fundit që ishte ai i fitores në minutat shtesë në triumfin 3-2 të Bournemouthit ndaj Tottenhamit.
I lindur në Angli, Semenyo ka zhvilluar 32 paraqitje me kombëtaren e Ganës, duke shënuar tre gola.