Kylian Mbappe pritet të jetë një nga protagonistët kryesorë të finales së Superkupës së Spanjës mes Real Madridit dhe Barcelonës, e cila do të luhet të dielën, në orën 20:00, në Geddah.
Sulmuesi francez është shumë pranë rikthimit në fushë pas dëmtimit në gjurin e majtë, të pësuar në fillim të dhjetorit, që fillimisht dukej se do ta linte jashtë kësaj sfide madhore.
Pas ekzaminimeve mjekësore, rezonanca magnetike kishte konfirmuar një ndrydhje, por Mbappé ka përshpejtuar ndjeshëm fazën e rikuperimit. Vetëm 11 ditë pas dëmtimit, ai është rikthyer në stërvitje të rregullta dhe ka dhënë sinjale shumë pozitive, duke bindur stafin teknik të Real Madridit për gjendjen e tij fizike. Nga një mungesë e sigurt, ‘ylli’ francez është kthyer në një opsion real për finalen.
Optimizmin e ka konfirmuar edhe trajneri Xabi Alonso, i cili u shpreh: “Është stërvitur të enjten dhe ndihet mirë. Ka të njëjtat shanse për të luajtur si gjithë të tjerët e grumbulluar”. Një deklaratë që hap rrugën edhe për një aktivizim nga minuta e parë në “El Clasico”.
Sipas medieve franceze, Mbappé ka punuar intensivisht ditët e fundit me një objektiv të qartë: të jetë në fushë në ndeshjen më të shumëpritur të Superkupës. Edhe pse aktivizimi mbetet një mundësi konkrete, pas finales nuk përjashtohet një menaxhim i kujdesshëm fizik për të shmangur rrezikun e rikthimit të dëmtimit.
Finalja ndaj Barcelonës së drejtuar nga Hansi Flick premton spektakël, ndërsa prania e Mbappé do ta bënte këtë përballje edhe më të zjarrtë.