Gjykata Themelore e Prizrenit, ka dhënë detaje për seancën e djeshme të mbajtur ndaj 39 të dyshuarve në rastin e keqpërdorimeve në Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Sipas njoftimit të gjykatës, seanca ka filluar në ora 16:00 dhe ka mbaruar në ora 23:00.
Gjatë zhvillimit të seancës, disa nga palët në procedurë kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore, për çka gjyqtari i procedurës paraprake ka ndërprerë disa herë seancën dhe palëve iu është ofruar ndihma e nevojshme përmes Emergjencës, dhe kur palët kanë qenë të gatshme ka vazhduar me seancën për caktimin e masës së sigurisë.
“Në momentin kur të përpilohet vendimi i plotë në formë të shkruar, gjykata do të njofton publikun dhe mediat për vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.
Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prizren të caktojë masën e paraburgimit për ish-drejtorin ekzekutiv të BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtorin e Financave, Valon Berisha, si dhe F.S., dhe Y.Ç.
Ndërkaq, për 35 të pandehurit e tjerë, organi i akuzës ka kërkuar caktimin e masës ‘Paraqitja në Stacion Policor’ dhe’ Ndalimin’ për t’iu ofruar vendit ose personit të caktuar.
Tutje, në dosjen e Prokurorisë thuhet se ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë është vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro.
Në aksionin e së enjtes janë sekuestruar 23 mijë e 700 euro, ari, aksesorë, orë dore dhe pajisje elektronike.