Kupa e Shqipërisë 2025-2026, përcaktohen tetë skuadrat çerekfinaliste

- Bota Sot

Kupa e Shqipërisë 2025-2026, përcaktohen tetë skuadrat çerekfinaliste

Kanë përfunduar ndeshjet e fazës 1/8 të Kupës së Shqipërisë 2025-2026, duke përcaktuar tetë skuadrat që vazhdojnë rrugëtimin drejt trofeut dhe sigurojnë kualifikimin në fazën çerekfinale.

Tirana, Dinamo City, Partizani, Bylis, Teuta, Vllaznia, Egnatia dhe AF Elbasani janë ekipet e kualifikuara për në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Të gjitha ndeshjet e fazës 1/8 u zhvilluan ditën e sotme.

Në takimet e orës 13:00, Dinamo City dhe Partizani e siguruan pa vështirësi kualifikimin, duke fituar me rezultatin 3-0. Dinamo City triumfoi ndaj Besës, ndërsa Partizani mposhti Burrelin.

Ndeshjet Tirana kundër Skënderbeut dhe Bylis kundër Laçit u vendosën vetëm pas kohës shtesë, pasi 90 minutat e rregullta u mbyllën në barazim. Tirana shënoi golin vendimtar në shtesë dhe fitoi 2-1, duke siguruar kualifikimin. Edhe Bylisi gjeti golin e tretë në shtesë, duke fituar 3-2 dhe kaluar më tej.

Në ndeshjet e orës 16:00, Egnatia fitoi 1-0 ndaj Apolonisë, ndërsa me të njëjtin rezultat Vllaznia triumfoi kundër Pogradecit. Teuta mposhti Vorën 2-0, ndërsa sfida mes AF Elbasanit dhe Flamurtarit shkoi në shtesë, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1. Verdheblutë e Elbasanit shënuan golin vendimtar në kohën shtesë, duke fituar 2-1 dhe siguruar kualifikimin për në fazën çerekfinale.

Në bazë të rregullores së aktivitetit, janë ndarë edhe vazot për shortin e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Në Vazon 1 bëjnë pjesë Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Dinamo City. Në Vazon 2 janë AF Elbasani, Teuta, Bylis dhe Tirana.

Çiftet çerekfinaliste do të përcaktohen përmes një shorti të lirë mes tetë skuadrave të kualifikuara. Ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, me takimet e para që do të luhen në fushën e ekipeve të pozicionuara në Vazon 2.

Në ditët në vijim do të bëhet e ditur data dhe ora e hedhjes së shortit për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot