Lulzim Abazi: Gjendja është alarmante në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Ferizajt

- Bota Sot

Lulzim Abazi: Gjendja është alarmante në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Ferizajt

Presidenti i klubit të futbollit Ferizaj, Lulzim Abazi, ka reaguar për gjendjen e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Ferizajt.

Ai ka përmendur edhe shoqatën e referëve të këtij rajoni.

“Si president klubi, ndjehem i obliguar të reagoj publikisht ndaj gjendjes alarmante dhe mungesës së theksuar të funksionimit të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Ferizajt (LRJF).

Është fakt i pamohueshëm që kjo lidhje sot është pothuajse inekzistente në aspektin e angazhimit, organizimit dhe përkrahjes reale të futbollit në rajon. Kjo ndodh pavarësisht faktit se rajoni i Ferizajt ka mbi 30 shkolla dhe akademi futbolli, si dhe klube që garojnë në Superligë, Ligën e Parë dhe Ligën e Dytë, të organizuara shumë më mirë sesa vetë struktura rajonale që do duhej t’i udhëhiqte.

Po ashtu, kemi edhe Ligën Rajonale të të gjitha grupmoshave, e cila organizohet vetëm sa për sy e faqe, ku e gjithë gara zhvillohet brenda dy,tre ditëve pa planifikim, pa standard dhe pa asnjë vlerë zhvillimore për fëmijët dhe klubet. Kjo është tallje me punën e trajnerëve, sportistëve dhe prindërve që investojnë kohë dhe mjete.

Situata është edhe më shqetësuese me Shoqatën e Referëve, e cila ka pakënaqësi të mëdha për anashkalimin dhe mungesën e organizimit nga LRJF. Pasojë direkte e kësaj është fakti se sot rajoni i Ferizajt nuk ka asnjë çift referësh në ligat e larta, gjë që flet qartë për dështim total në zhvillimin e referimit.

Kryetari i LRJF-së, z. Ilaz Mjaku, përkundër gjithë këtij potenciali, nuk e sheh të arsyeshme të bëjë as minimumin që e bëjnë të gjitha lidhjet rajonale simotra të FFK-së:

Organizime rajonale funksionale,

Përzgjedhje të sportistëve sipas grupmoshave,

Bashkëpunim të vërtetë me klubet, akademitë dhe referët.

Këto nuk janë dëshira personale, por detyrime institucionale.

Shembulli i Lidhjes Rajonale të Prizrenit, e cila së fundmi organizoi në mënyrë shembullore Laureatët 2025, tregon qartë se kur ka vullnet dhe përgjegjësi, ka edhe rezultate.
Si president klubi, them qartë:

 Ferizaj meriton më shumë. Ky rajon ka futboll, ka potencial dhe ka njerëz që punojnë por i mungon një lidership rajonal aktiv dhe i përgjegjshëm.

Koha e arsyetimeve ka kaluar.

 Ose LRJF fillon të funksionojë realisht, ose duhet t’u hapet rruga atyre që janë të gatshëm të punojnë për zhvillimin e futbollit, jo vetëm ta mbajnë pozitën formalisht”, ka shkruar Abazi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot