Laporta, para finales së Superkupës: Duam ta nisim vitin 2026 me trofe

- Bota Sot

Laporta, para finales së Superkupës: Duam ta nisim vitin 2026 me trofe

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur hapur në prag të finales së Superkupës, duke theksuar ambicien e madhe të klubit për të fituar trofeun e parë të sezonit dhe duke pranuar se marrëdhëniet institucionale me Real Madridin janë aktualisht të prishura.

Laporta nënvizoi se ky trofe ka një rëndësi të veçantë për Barcelonën, pasi shpeshherë Superkupa ka shërbyer si një orientim pozitiv për vazhdimësinë e sezonit.

“Kemi shumë dëshirë ta fitojmë këtë titull. Është i pari që mund ta fitojmë këtë sezon dhe kemi arritur me meritë në finale.

Të gjithë tifozët duan ta nisin vitin 2026 me një trofe.

Kur kemi fituar Superkupën, zakonisht kanë ardhur edhe tituj të tjerë”, u shpreh ai.

Sa i përket finales kundër rivalëve historikë, Laporta theksoi se në një finale nuk ka favoritë, pasi gjithçka mund të ndodhë.

Ai vlerësoi shpirtin e skuadrës së Barcelonës, duke theksuar se ekipi, i drejtuar nga Hansi Flick, po kalon një moment të mirë dhe ka treguar forcë kolektive, veçanërisht pas paraqitjes bindëse në gjysmëfinale. Megjithatë, ai pranoi se edhe kundërshtari ka armët e veta dhe se një finale kërkon përqendrim maksimal.

Laporta foli edhe për raportet me presidentin e Real Madridit, Florentino Pérez, duke theksuar se ekziston respekt formal, por pa fshehur realitetin aktual.

“Marrëdhëniet me Real Madridin janë keq, janë të prishura. Ka disa çështje që na kanë larguar. Respekti ekziston, por situata është kjo. Si në jetë, gjithçka mund të rregullohet, por kjo varet nga palët”, deklaroi presidenti ‘blaugrana’.

Në përfundim, Laporta bëri thirrje për unitet dhe besim, duke theksuar se objektivi i Barcelonës është i qartë: të fitojë finalen, t’u dhurojë tifozëve gëzim dhe ta nisë vitin e ri me një trofe të rëndësishëm.



Lexoni të gjitha në Bota Sot