Rosenior me lëvdata për lojtarët e Chelseat, ka disa fjalë edhe për Enzo Marescan

- Bota Sot

Rosenior me lëvdata për lojtarët e Chelseat, ka disa fjalë edhe për Enzo Marescan

Trajneri i Chelseat, Liam Rosenior, ka lavdëruar mentalitetin dhe intensitetin e lojtarëve të tij pas fitores bindëse 5-1 të “Bluve” ndaj Charlton Athletic në Kupën FA.

Ai ka theksuar se, përpara përballjes së radhës ndaj Arsenalit në gjysmëfinalen e Kupës Carabao, fokusi i tij kryesor nuk do të jetë te taktikat, por te qëndrimi dhe mentaliteti i ekipit.

Duke folur pas ndeshjes, Rosenior zbuloi se mesazhi i tij kryesor për skuadrën ishte i përqendruar te reagimi në momente të vështira, e jo te ndryshimet teknike apo taktike.

“Kam edhe dy ditë të tjera. Por mendoj se gjëja më e madhe për të cilën i sfidova lojtarët ishte mënyra se si reagojmë ndaj pengesave dhe intensiteti ynë. Asgjë taktike, asgjë teknike”, u shpreh Rosenior.

Trajneri i ri i Chelseat pati gjithashtu fjalë të mira për paraardhësin e tij, Enzo Maresca, duke theksuar se skuadra është e përgatitur mirë.

“Këta lojtarë janë të jashtëzakonshëm. Ata janë stërvitur shumë mirë para ardhjes sime”, tha Rosenior, duke vlerësuar punën e bërë më herët në “Stamford Bridge”.

“Isha shumë i kënaqur me unitetin dhe frymën e grupit kundër Charlton. Po ashtu, më pëlqeu shumë intensiteti me të cilin ata vrapuan, fituan duele, goditje me kokë dhe bënë të gjitha gjërat bazë. Pikërisht këtu e gjen kënaqësinë”, përfundoi Rosenior



Lexoni të gjitha në Bota Sot